Aktualitet

Avokati i Alda Klosit: Rozeta Dobi gënjeu, Alda duhet të kujdeset për dy të mitur e nënën e verbër!

Alda Klosi u la në burg, avokati i saj, Ilirjan Muho shpreh keqardhje për vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës që i caktoi masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndërsa zyrtarja ndodhet e shtruar në spital për probleme shëndetësore. Duke folur për gazetarët, Muho u shpreh:

I keqardhur nga vendimi! Vendim i cili vlerësoi të ligjshëm veprimtarinë e Prokurorisë deri më tani dhe caktoi “Arrest me burg”. Pati debat të gjatë në këtë seancë, Prokuroria paraqiti si provë një deklaratë të dhënë nga Rozeta Dobi, më 3 shkurt.

Eshtë hera  e katërt dhe ka dhënë versione të reja për ngjarjen. Gënjeshtër! Nëse do të ishte kështu, ka disa pyetje që u bënë në seancë. Nëse do të ishte kështu, si është e mundur që kasaforta që iu dha për ta mbajtur për ruajtje, si u hap dhe u hodh në koshin e plehrave?

Në momentin e arrestimit, nëna e djali kanë mbajtur të njëjtin qëndrim dhe kanë pohuar vjedhjen e banesës së Alda Klosit. Nëse do të pranonim se është e vërtetë që mes Alda Klosit e Dobit do të kishte një marrëveshje, si është e mundur që janë gjetur edhe sende të tjera të vjedhura në banesa të tjera?

Këto deklarime pohojnë se kemi të bëjmë me një shtetase që ka një qëllim të caktuar që bën një deklarim të tillë. Të lehtësojë sadopak pozitën saj dhe të përfitojë sado të jetë e mundur një pozitë më të lehtësuar për djalin e saj se është zënë me presh në duar duke vjedhur.

Ndërsa pretendon se deklarata e Rozeta Dobit në prokurori është një gënjeshtër, avokati i Alda Klosit u shpreh se “paratë që janë marrë në banesën e ish-zyrtares ishin të xhaxhait të saj, i cili i donte për kurim në SHBA”. Sipas Muhos, Alda Klosi ka në kujdestari dy fëmijë të mitur dhe duhet të kujdeset për nënën e saj të verbër.

Alda Klosi ka në kujdestari dy fëmijët e mitur dhe nënën e verbër, për të cilën nuk dihet se kush do të kujdeset. Janë deklarime të pavërteta ato që thuhen. Ajo është e sëmurë nën kontrollin e mjekëve. Nuk pati verifikim, thjesht u konstatua gjendja e saj shëndetësore. Prokuroria po kryen veprimet.  Në rast se këto deklarime të dhëna prej saj do të dalin si të pavërteta, çfarë do të ndodhë? Në momentin e parë që mbërriti në shtëpi njoftoi policinë. Ajo ka konstatuar se i mungonin disa sende. Më vjen keq që prokurori mendon se Alda Klosi i ka dhënë 500 mijë euro pastrueses. Prokuroria përdor si deklarim vetëm atë që thotë Rozeta Dobi.