Aktualitet

Avokati i Popullit kërkon analizë të thelluar për ngjarjen në Himarë!

Në një reagim për ngjarjen e djeshme në Himarë, Avokati i Popullit kërkon që organet kompetente të kryejnë veprimet hetimore. Institucioni shpreh ngushëllimet në lidhje me humbjen tragjike të jetës së të miturës 7-vjeçare që u godit nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie, në plazhin e Potamit në Himarë.

Avokati i Popullit u bën thirrje organeve kompetente për të kryer të gjithë veprimet e duhura hetimore, në një kohë sa më të shpejtë për të vënë para përgjegjësisë gjithë personat apo strukturat përkatëse.

Nga ana tjetër, kjo ngjarje e rëndë kërkon një analizë të thellë nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, të veprimeve apo mosveprimeve të personave përgjegjës në lidhje me marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese në zonat bregdetare.

Më herët gjatë ditës, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) njoftoi se arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Arjan Tase, me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Pasi dje goditi për vdekje me gomone një vajzë 7-vjeçe në bregun e plazhit të Potamit në Himarë, ai akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer nga pakujdesia”. Nën hetim është edhe zinxhiri drejtues i Drejtorisë së Kufirit në Vlorë.

Sipas Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, në vendin e quajtur plazhi i Potamit, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit ujor, shtetasi Arjan Tase ka futur mjetin lundrues në hapësirën ujore të përcaktuar për pushuesit. Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet.

Pasi zbarkoi në breg personat e tjerë në bordin e gomones, Arjan Tase kreu manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur. Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, drejtuesi ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur, duke i shkaktuar plagë të rënda që sollën humbjen e menjëhershme të jetës.