Aktualitet Celebrities Showbiz

Balerini i njohur Ilir Shaqiri shpallet fituesi i edicionit të parë të “Big Brother VIP”!

Të gjithë ishim gjithë sy e veshë mbrëmjen e kaluar në natën finale të “Big Brother VIP”. Një mbrëmje shumë e veçantë dhe plot emocione. Mund të themi me plot kuptimin e fjalës se ishte një mbrëmje maratonë. Pas afërsisht 6 orëve në transmetim direkt u shpall edhe fituesi i edicionit të parë të “Big Brother VIP”.

Mes Donald Veshaj dhe Ilir Shaqiri fitues u shpall ky i fundit. Pas një eksperiencë të paharruar, që ka zgjatur më shumë se katër muaj, ai rrëmbeu çmimin e madh prej 100 mijë eurovëve.

Iliri dhe Donaldi, që kanë hyrë në shtëpi që nga dita e parë, janë konsideruar shpesh si konkurrentët më të fortë të këtij reality show. Dy artistët kanë garuar me njëri-tjetrin, teksa e kanë shprehur hapur konkurrencën mes tyre.

Ilir Shaqiri, Donald Veshaj, Einxhel Shkira dhe Beniada Nishani janë banorët që prekën finalen e madhe.

Beniada ishte e para që u eliminua, pasi më herët kishte marrë një suprizë nga familjaët e saj dhe nga këngëtari i preferuar, Sinan Hoxha. Einxheli dhuroi emocione nga takimi me babanë e saj në dhomën e surprizave dhe më pas u eliminua.

Gara vazhdoi në fund mes aktorit Donald Veshaj dhe Ilir Shaqiri. Fillimisht, balerini shkoi në Teatrin e Operas dhe Baletit ku kërceu me nënën, i shoqëruar nga sopranoja Inva Mula. Ndërsa aktori shkoi drejt Pallatit të Kongreseve, ku po ashtu takoi nënën dhe së bashku dëgjuan këngëtarin Alban Skënderaj.

Ky edicion do të mbahet mend nga të gjithë shqiptarët. Me të vërtetë ishte edicioni i parë por ai i ka mbajtur të gozhuar para ekranit çdo të martë dhe të premte të gjithë. Do të mbeten gjatë në memorien e kujtdo shumë nga momentet e paharrueshme të këtij “Big Brother”-i. Pavarësisht gjithçkaje neve na mbetet të presim për edicionin e dytë të tij.