Aktualitet Politikë

Balla: Ismailaj do të rikandidojë në Mallakastër/Më 25 mars zyrtarizohen kandidaturat e PS-së për vendoret e 14 Majit!

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj do të rikandidojë në vendoret e 14 Majit. Këtë e konfirmoi sot shefi i grupit socialist, Taulant Balla. Duke folur për gazetarët, Balla vuri në dukje se nuk ka asnjë lloj dënimi e vendim gjykate për vepër penale, që e ndalon Ismailajn të rikandidojë.

E para, kryetari i Bashkisë Mallakastër nuk ka asnjë lloj dënimi dhe vendim gjykate për një vepër penale që e ndalon të kandidojë. Këto janë çështje që çdo qytetar shqiptar i ka vuajtur në emigracion.

Për akuzën “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, kujtojmë se më 2 shkurt, Ismailaj u dënua nga GJKKO me 6 muaj burg që konvertohen në 40 orë pune për interes publik.

Po ashtu, komentoi paraqitjen në SPAK të kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi. Balla tha se u thërrit si person që ka dijeni për një çështje.

Në SPAK janë thirrur shumë persona, edhe drejtuesit më të lartë të politikës, kryetar partish. Bushi u thirr si person që ka dijeni për një çështje.  Fakti që thirresh në SPAK nuk e bën të pamundur ndalimin. Ligji i dekriminalizimit përcakton qartë rastet e moskandidimit. Ai ligj është kushti i panegociueshëm për këdo, që do të kandidojë në zgjedhjet e 14 Majit.

I pyetur për arrestimin e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, deklaroi:

PS nuk bën avokatin e askujt. Nuk komentoj asnjë lloj deklarate sepse dua të jetë e qartë për gjithë opinionin publik. Nëse në vitin 2013 shqiptarët nuk do të kishin votuar PS-në dhe PS-ja nuk do vinte veton për të miratuar paketën e Reformës në Drejtësi e nuk do të implementonte një për një parashikimet që përfshinte Reforma në Drejtësi, ne nuk do të ishim në këtë situatë. Kryebashkiakë të arrestuar në detyrë janë vetëm dy gjatë këtij mandati.

Të shtunën, më 25 mars, PS-ja do të zyrtarizojë kandidaturat për kryetarë bashkie. Pjesa më e madhe e kandidatëve janë zgjedhur.

Të shtunën do të kemi mbledhjen e Kryesisë së PS-së dhe drejtuesi politik do të prezantojë një vlerësim të secilës prej kandidaturave. Kemi bërë proces të gjatë me sondazhe.