Aktualitet Politikë

Balla: Jam takuar me McGonigal, mund të jetë takuar edhe me përfaqësues të opozitës!

Sot në një komunikim me gazetarë, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se edhe ai vetë e ka takuar ish-drejtorin e kundrazbulimit të FBI-s, Charles McGonigal, që akuzohet se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar.

Balla tha se e ka takuar atë vetëm në funksion të punës dhe se nuk ka asnjë përgjegjësi në lidhje me akuzat me të cilat përballet. Nga nga tjetër, ngriti aludime se McGonigal është takuar edhe me anëtarë të opozitës.

Edhe unë e kam takuar ku kemi ndarë e diskutuar në funksion të marrëdhënieve të shkëlqyera mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Askush nuk do i thonte jo një takimi të tillë në cilësinë e atij pozicioni zyrtar. Kanë qenë takime të formës së bashkëpunimit gjatë kohës që ka qenë në detyrë. Pas kësaj kohe që nuk ka qenë në detyrë nuk e kam takuar. Në këtë histori nuk mban përgjegjësi asnjë autoritet shqiptar sa kohë është në kuadrin e një takimi në funksion të punës. Ne kemi komunikuar së fundmi me FBI-në për sulmet kibernetike, imagjinoni sikur dikush të arrestohej tani nga FBI-ja? Mund të ketë takuar edhe anëtarë të opozitës, nuk e di pyesni.

Më 24 janar u bë e ditur se në Nju Jork është arrestuar ish-shefi i kundërzbulimit të FBI-së me akuza të rënda se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar. Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 e ndër të tjera mbulonte Shqipërinë e Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë e politikanë në vendin tonë, Kosovë e Bosnjë por pa i raportuar sipas rregullave.