Aktualitet Politikë

Balla për ndërprerjen e seancës plenare: Të tërhiqet vëmendja nga 21 janari!

Në një koment për tensionet në seancë plenare, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla tha se kjo bëhet me qëllim heqjen e vëmendjes nga thirrja e Shkëlzen Berishës në SPAK dhe provat e reja të zbuluar mbi ngjarjen e 21 janarit.

Situata e krijuar sot në Kuvend ka lidhje me thirrjen në SPAK të djalit të Sali Berishës. E mbani mend që në janar 2019, kur Berisha ishte njohur me faktin që në SHBA kishte nisur procedura për shpalljen e tij “non-grata”, e njëjta situatë ndodhi në Kuvend. Kjo lidhet me situatën e bllokimit të Kuvendit. Nikolla bëri vendimmarrjen e duhur për zhvillimin normal të Parlamentit. Jemi gjendur para disa shkeljeve të rënda të Rregullores nga Berisha e jo vetëm. Jo vetëm vendimi disiplinor, por duhet që Sekretariati të mblidhet urgjentisht e të shqyrtojë përjashtimin e për më shumë ditëve.

Balla foli dhe për debatin me opozitën, si dhe çështjen McGonigal.

Kërkesa nuk shqyrtohet në seancë, i lihet kohë tre ditë të shqyrtohet në Konferencën e Kryetarëve. Deputetët kërkues jo vetëm që bënë prezantimin 3 minuta, por morën 2 minuta të tjera. Një kurth për të hequr vëmendjen nga loja me paratë ruse të PD-së dhe për të hequr vëmendjen nga provat e reja të 21 janarit.

Për çështjen McGonigal, deklaroi se hetimi për këtë çështje ka mbaruar dhe ka vetëm një të pandehur që është ish-zyrtari i FBI-së.

Eshtë një hetim që po zhvillohet në SHBA, që ka vetëm një të pandehur dhe në momentin që kërkesa do të vijë sipas rrugëve procedurale, do të merret në shqyrtim përsëri. Sa herë kërkesa të ketë firmën e Sali Berishës, do të rrëzohet.

E para është që për këtë çështje kam mbajtur një fjalë në Kuvend ku kam sqaruar pozicionin tonë, ku asnjë autoritet i shtetit shqiptar, asnjë ministër apo kryeministër nuk është i përfshirë në këtë hetim. Është përmbyllur ky hetim, dosja ka shkuar në gjykatë me një të pandehur. Nuk ka asnjë përgjegjësi politike. Ky individ ka takuar dhe autoritete të qeverisë gjermane apo austriake. Në asnjë nga vendet e tjera nuk ndodh kjo. Kjo është një përpjekje për të hequr vëmendjen. Kjo që po them është qëndrimi zyrtar i grupit të PS. Asnjë zyrtar i PS-së nuk ka asnjë lidhje me të. Eshtë shumë e thjeshtë, dosja ka shkuar në gjykatë, ka vetëm një pandehur.