Politikë

Balla: Reformat nga PS, të nisin me riorganizim në nivel rajonal, të ndryshojë reforma territoriale

Shumica Socialiste nuk humb kohë duke shprehur gatishmëri për nisjen nga puna mesditën e të mërkurës të Komisionit Parlamentar për reformën e re administrative territoriale.

Taulant Balla kreu grupit parlamentar socialist la të kuptohet se për momentin mund të bëhet vetëm një riorganizim i ri në nivel qarqesh.

“Ka plot punë për tu bërë e vlerësuar për të parë edhe mundësinë e një roli më të ndryshëm nga ai aktual i qarqeve. Duhet të kuptojmë që zhvillimi rajonal duhet të jetë sfida jonë e përbashkët. Qarqet në modelin e tyre aktual kanë humbur disi peshën e tyre. Duhet të gjejmë një mënyrë të shkojmë drejt një organizimi më funksional rajonal.”– tha Taulant Balla.

Taulant Balla shprehu mendimin e tij personal se 61 bashki që kemi aktualisht janë shumë.

Ky qëndrim i tij paçka se personal çon një sinjal të qartë tek opozita, e cila synon përmes kësaj reforme të ri-formatojë hartën aktuale të bashkive në vend.

Tetë vite më parë kur u miratua reforma territoriale, diskutimet u bojkotuan nga Lulzim Basha, duke i lënë fushë të hapur vendimmarrje PS bashkë me votat e PDIU-së.