Aktualitet

“Ballkani i Hapur” në Tiranë, mesazhet nga Rama-Vuçiç-Zaev/BE thirrje Kosovës, Malit të Zi e Bosnjes t’i bashkohen nismës!

Në Pallatin e Brigadave po zhvillohet takimi i radhës së Ballkanit të Hapur, me në fokus 5 marrëveshje për garantimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave e shërbimeve mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut. Në fjalën hyrëse, mikpritësi Rama foli për një moment kyç të procesit. Sipas kryeministrit, “marrëveshjet që pritet të nënshkruhen përcaktojnë një hap shumë të rëndësishëm para, drejt objektivit për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes së njerëzve mallrave, kapitaleve e shërbimeve”. Shefi i qeverisë përsëriti qëndrimin se “Ballkani i Hapur është një nismë tërësisht përfshirëse” e vuri në dukje se duhet të ecin përpara. Gjithashtu, inkurajoi të tjerët të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje.

Ne po bëjmë një përparim real për heqjen e lejeve të punës,  duke njësuar kërkesat tona për qytetarët që kërkojnë punësim. Ne flasim për gjëra realisht konkrete dhe po ndërmarrim hapa domethënës përpara, për ta bërë rajonin më të hapur e më tërheqës për investime të huaja. Duhet të thellojmë bashkëpunimin për të tërhequr financues global në rajonin tonë, duke i ofruar një hapësirë të re. Të kalojmë nga klisheja e konkurrencës, duke krijuar një treg të përbashkët europian. Mesazhi është që me këto marrëveshje, 2022 do të jetë një epokë e re, fillesa e diçkaje krejt ndryshe.

Për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, marrëveshjet që pritet të nënshkruhen sot në Samitin e ‘Open Balkan’, janë bërthama që sipas tij do të krijojë që kjo pjesë e Europës të jetë pa kufij. Vuçiç shprehet se “po bëhet realitet diçka që më parë as nuk mendohej”.

Kjo është një iniciativë më e madhe se ne të tre. Do të krijojë bazën e themelet për fëmijët tanë. Objektivi më i rëndësishëm është të lidhim njerëzit me njëri-tjetrin. Ata njerëz që kanë menduar më shumë për të shkuarën se për të tashmen e për të ardhmen.

Kryeministi i Maqedonisë së Veriut, Zaev:

Kjo do të jetë pjesëmarrja ime e fundit e drejtpërdrejtë në këtë mision, të paktën për një vit. Kjo iniciativë është e hapur për të gjitha vendet në rajon. Ne treguam se vendet tona nuk do të mbaheshin peng nga dështimet e BE-së sa i përket procesit të integrimit. Mesazhi im është: ruajeni “Ballkanin e Hapur” sepse është një gjë shumë e mirë për qytetarët tanë, do të na çojë drejt të ardhmes së përbashkët në BE.

Takimit iu bashkua online edhe eurokomisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, i cili apeloi që Kosova, Mali i Zi e Bosnja të bëhen pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”.

Ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj. Ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë, që jo vetëm është gati për bashkëpunim rajonal, por po e bën. Mund të më përfshini si mbështetës të “Ballkanit të Hapur”.

Do të ishte ideale të gjendej një mënyrë për t’u kthyer në tregun e përbashkët rajonal. Ftoj tre vendet e tjera t’i bashkohen kësaj nisme, mund të ndryshojë realitete në terren që janë shumë të zymta. Vetëm përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të shtojë 1/3 e PBB ekzistues. Uroj që t’i bashkohen sa më shpejt edhe tre vendet e tjera.

Kujtojmë se një ditë më parë, ish-kryeministri Berisha thirri një protestë para Kryeministrisë për të protestuar kundër pranisë së Vuçiçit në vendin tonë e gjithashtu kundër nismës “Ballkani i Hapur”, të cilën e konsideron “thikë pas shpine Kosovës”. Aty u dogjën 4 flamuj të Serbisë dhe në pranga ranë dy persona të moshave 41 e 56-vjeç, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshave 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë e në Durrës. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Tiranë, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”.