Aktualitet Rajoni

“Ballkani i Hapur”, sipërmarrësit kërkesë për zbatimin e marrëveshjeve!

Sot në takimin e radhës së Ballkanit të Hapur, nismës së Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, kryeministri Rama tha në Beograd se në fokus janë njerëzit, kompanitë, fermerët, punëtorët, studentët, si përfitues. Rama bëri të ditur se sipërmarrësit, njëzëri dhanë mbështetje për Ballkanin e Hapur, por kërkuan të zbatohen marrëveshjet politike, sidomos ato që kanë të bëjnë me kalimin në kufij. Shefi i qeverisë vuri në dukje se nuk duhet të ketë vonesa, pasi eksportohen fruta, perime e qumësht, produkte që rrezikojnë nëse bllokohen në pikëkalime.

Nga kryeqyteti i Serbisë, kryeministri Rama deklaroi se është marrë qëndrim i përbashkët për Bashkimin Europian.

E kuptojmë situatën në Union, por ata e bllokojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ne kemi theksuar se nuk heqim dorë nga përpjekjet, për t’i ndërtuar vendet tona sipas standardeve të BE-së.

Drejtuesit e nismës takuan edhe përfaqësues të Këshillit Atlantik, që sipas kryeministrit, erdhën nga Uashingtoni për ta mbështetur këtë iniciativë. Në Beograd u ra dakord të zbatohen marrëveshjet e arritura në kuadër të “Ballkanit të Hapur. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se do të formohet një këshill i zbatimit, për përbërjen e të cilit pritet të vendoset në vazhdim.

Puna jonë është të shohim se ku kemi ngecur në praktikë. Eshtë frustruese që marrëveshjet në nivelin politik, nuk janë zbatuar në tërësi!

Takimit të liderëve i parapriu një tjetër, me përfaqësues të kompanive nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Siç bëri të ditur Vuçiç, ata mbështesin plotësisht “Ballkanin e Hapur”, por kërkojnë zbatimin më të shpejtë të marrëveshjeve.

Pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, për shkak të humbjes në zgjedhjet vendore, sot në Beograd, Maqedonia e Veriut u përfaqësua me zv.kryeministrin Nikolla Dimitrov. Situatën në vendin e tij, Dimitrov e përshkroi si “komplekse”, por shtoi se kjo nuk i ndalon të marrin pjesë në takimin, në kuadër të “Ballkanit të Hapur” e që fillimisht quhej “Mini Shengen”. Në dhjetor, samiti zhvillohet në Tiranë.

Aleksandër Vuçiç:

Do të kemi një samit në Tiranë pas Krishtlindjeve, por atë do ta vendosë mikpritësi, Rama. Do të nënshkruajmë memorandumin për lejet e punës, që të jetë marrëveshje reale, me fuqi ligjore. E vetmja gjë që duhet për t’i mbajtur njerëzit në rajon është që të punojnë lirisht. Në të kundërtën, do të kemi më shumë indianë, turq e filipinas.