Rajoni

Ballkani Perëndimor në fokus të një takimi të kryediplomatëve të BE-së e rajonit në Bruksel!

Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian në Bruksel, ministrat e vendeve anëtare do të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor. Atyre do t’iu bashkohen edhe kryediplomatët nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimeve nga Bashkimi Europian, temat kryesore në rend dite janë procesi i normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, situata në Bosnje-Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Europian pritet të përsërisë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, si dhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë detyrimet e marra për të zbatuar reformat e për t’u përshtatur dhe me politikën e jashtme të BE-së.

Deri tani, të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë kanë mbështetur sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë. Vitin e fundit, përshtatja e Beogradit me qëndrimet e Unionit në politikën e jashtme është zvogëluar më shumë.

Bashkimi Europian ka shprehur shqetësim dhe për kërcënimet që dëgjohen në Bosnje mbi rrezikimin e integritetit territorial të vendit. Të tilla thirrje vazhdojnë të vijnë nga lideri i Serbëve të Bosnjes, Milorad Dodik.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, pritet që edhe nga ky takim të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit dhe për zbatimin e të gjitha detyrimeve të palëve në këtë proces.

Pas udhëzimeve që liderët e BE-së e të Ballkanit Perëndimor dhanë nga samitet e Bërdos më 2021-shin e Tiranës vitin e kaluar, Bashkimi Europian ka asistuar partnerët që të zhvillojnë kapacitetet për t’u përballur me kërcënimet hibride, sidomos kibernetike dhe me fushatat e manipulimit e ndërhyrjes nga faktorë të jashtëm.

BE-ja ka përfshirë vendet e rajonit edhe në planet e përbashkëta për të parandaluar aktet terroriste.

Të gjitha këto do të jenë tema, për të cilat ministrat e BE-së e kolegët nga rajoni i Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë në takimin e përbashkët.