Aktualitet Rajoni

Ballkani Perëndimor në qendër të samitit të Procesit të Bërdo-Brijunit në Slloveni!

Situata në Ballkanin Perëndimor, me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit europian, në fokus të samitit të Procesit të Bërdo-Brijunit, që nis sot në Slloveni. Mes pjesëmarrësve janë edhe presidentët e Shqipërisë e të Kosovës. Bajram Begaj e Vjosa Osmani morën ftesën e homologut slloven, Borut Pahor në takimin ku do të jenë të pranishëm edhe kryetarët e shteteve të Serbisë, Aleksander Vuçiç, Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Kroacisë, Zoran Milanoviç, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Milorad Dodik e Zhelko Komshiç.

Procesi i Bërdo-Brijunit është nismë sllovene-kroate, e vitit 2010, kohë kur Pahor ishte në krye të qeverisë të Sllovenisë. Më herët u njoftua se në takim pritet t’i bëhet thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Europian, që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mes qëllimeve kryesore të samitit të Procesit të Bërdo-Brijunit është forcimi i besimit reciprok në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në Bllokun që numëron 27 anëtarë.

Janë mbushur 18 vjet nga koha kur ndodhi zgjerimi më i madh i Bashkimit Europian në histori, me hyrjen në të njëjtën kohë të dhjetë shteteve të reja anëtare. Për herë të parë, Unionit iu bashkuan shumë shtete, të cilat për gjysmë shekulli ishin në anën tjetër të perdes së hekurt, si pjesë e bllokut lindor komunist të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik.

Në BE, në të njëjtën ditë hynë Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Lituania, Sllovenia, Letonia, Estonia, Qipro dhe Malta. Dy vjet e gjysmë më vonë, më 1 janar të vitit 2007 anëtare u bënë edhe Rumania e Bullgaria, që ishin pjesë e së njëjtës valë të zgjerimit, por në vitin 2004 u vlerësua se ende nuk ishin të gatshme për t’u bërë anëtare.

Ky zgjerim i madh i BE-së, në Bruksel përmendet si sukses, por kjo datë nuk shënohet më me aq eufori si dikur. Zgjerimi i Bllokut nuk është më proces aq i popullarizuar në BE, edhe pse ai vazhdon me synimin që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre Shqipëria, një ditë të bëhen pjesë.