Ballkani zhgënjen në turin e parë eliminator të Champions League. Skuadra e Ilir Dajës u eliminua nga Santa Coloma e Andorrës, një ekip gjysmë-profesionist, teksa sfida e zhvilluar në Podujevë u vendos nga penalltitë.
Kampionët e Kosovës vinin në këtë takim me avantazhin e siguruar falë fitores 1-2 në transfertën në Andorra dhe e nisën mjaft mirë ndeshjen, duke krijuar disa raste shënimi.
Megjithatë Ballkani u penalizua nga Adetunji në minutën e 39’, i cili la skuadrën me 10 futbollistë pasi u ndëshkua me karton të kuq për një goditje me bërryl ndaj kundërshtarit. Edhe me një lojtar më pak, Ballkani ishte sërish skuadra më e mirë në fushë, por pa arritur të gjejë golin që do të mbyllte njëherë e mirë llogaritë.
E pikërisht atëherë kur skuadra e Ilir Dajës po bëhej gati të festonte kualifikimin, Santa Coloma bëri surprizën e hidhur, duke shënuar golin që i mjaftoi për të dërguar ndeshjen në një shtesë 30-minutëshe.
Shtesa prodhoi edhe dy gola të tjerë, nga një për çdo skuadër, duke bërë që kualifikimi të vendosej nga penalltitë. Santa Coloma shënoi 6 nga 7 penalltitë e saj, ndërsa Ballkani vetëm 5, me Emërllahun dhe Thaqin që gabuan nga pika e bardhë.
Aventura e skuadrës së Ilir Dajës do të vijojë në turin e dytë të Conference League, aty ku do të përballet me ekipin që do të eliminohet nga çifti Flamrun Spartans-Lincoln Red Imps.