Bota

Balotazh për presidencialet në Çeki/Përballje Pavel-Babis!

Emri i presidentit të ri të Republikës Çeke do të mësohet pas balotazhit të datave 27 e 28 janar. Qytetarët me të drejtë vote duhet të zgjedhin mes miliarderit e ish-kryeministrit Andrej Babis dhe gjeneralit në pension të NATO-s, Petr Pavel. Ata kryesuan raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Çeki të mbajtur në dy ditë, më 13 e 14 janar.

Nga rezultatet e mbrëmjes u mësua se Pavel mori 35.4 për qind të votave, duke siguruar një epërsi fare të lehtë ndaj rivalit Babis, i cili kryesoi me 35 për qind.

E treta u rendit ekonomistja Danuse Nerudova, e cila gjatë fushatës u zotua për një presidencë progresive dhe pro-europiane. Nerudova përfundoi garën me 13.9 përqind të votave, sipas rezultateve pothuajse të plota nga Enti i Statistikave Çeke.

Asnjë nga pesë kandidatët e tjerë nuk fitoi më shumë se shtatë për qind të mbështetjes. Tashmë, Babis dhe Pavel shkojnë në balotazh më 27-28 janar, në një përpjekje për të marrë postin e presidentit të katërt që nga themelimi i Republikës Çeke në vitin 1993, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Fituesi do të zëvendësojë Milos Zemanin, një veteran politik me opinione të forta dhe që ka shkaktuar ndasi në vend.

Në Republikën Çeke, kryetari i shtetit nuk ka kompetenca ekzekutive. Por, në postin e numrit një do të përballet me një inflacion rekord në vendin e Europës Qendrore me 10.5 milion banorë, si dhe me defiçite të mëdha të financave publike në lidhje me konfliktin rus në Ukrainë.

Manjati i biznesit dhe ish-kryeministri Babis, 68 vjeç është personi i pestë më i pasur në Republikën Çeke, sipas revistës Forbes.

Ish-gjenerali Pavel, 61-vjeç mban dekoratën e heroit në luftën serbo-kroate, gjatë së cilës ndihmoi trupat franceze të dilnin nga një zonë lufte. Ai u bë shefi i shtabit të përgjithshëm të Çekisë dhe kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.