Rajoni

Beteja për 21 komuna në Kosovë, deri në 15:00 votuan rreth 24% e qytetarëve!

Në Kosovë vijon votimi për kryetarët e 21 komunave, ku më 17 tetor nuk pati një fitues dhe u vendos balotazhi për zgjedhjet vendore. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, konfirmoi se në 07:00 të mëngjesit, u hapën të gjitha qendrat e votimit, përfshirë ato në Prishtinë ku gjithashtu ka balotazh. Kandidati i Vetëvendosjes, Arben Vitia ka përballë rivalin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Në të parën konferencë shtypi për sot të KQZ-së, zëdhënësi Elezi ftoi qytetarët me të drejtë vote në Kosovë, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Eshtë fjala për më shumë se 1 milion e 260 mijë zgjedhës që mund t’i drejtohen 575 qendrave me 1 mijë e 638 vendvotime. Në raundin e rreth një muaji më parë, partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Vetëvendosje, nuk arriti fitore të qartë në asnjë komunë e përballet me balotazh në 12 nga 21 të tilla ku sot votohet. Lidhja Demokratike e Kosovës garon në 9, Partia Demokratike në 8 e Aleanca për Ardhmërinë, në 5 komuna.

Përveç Prishtinës, votuesit në Kosovë janë thirrur të zgjedhin drejtuesit e rinj të komunave në Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë e Kllokot. Përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi 1.571 kuti me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.

Raundin e parë, Lista Serbe e mbylli me fitore në 9 komuna, PDK në 4 ndërsa AAK e LDK, secila në 2. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00. Ndërkaq, zgjedhjet e sotme pasojnë një fushatë të shkurtër elektorale, vetëm 5-ditore, nga e hëna në të premte.

Kujtojmë se muajin e kaluar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit u ndaluan 14 persona, si të dyshuar për shit-blerje votash, falsifikim të rezultateve, pengim të procesit të votimit, si dhe për cënim të fshehtësisë së votimit. Bëhej fjalë për të ndaluar nga komunat e Kllokotit, Suharekës, Skënderajt, Malishevës e Fushë Kosovës.

Pjesëmarrja deri në orën 15:00:

Në Kosovë ku vijon votimi për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave në balotazhin që përfshin edhe Prishtinën, deri në orën 15:00 pjesëmarrja ishte 24%. Shifrën e dha KQZ-së. Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani iu bëri thirrje qytetarëve, t’i përgjigjen detyrimit për të votuar. Të njëjtin apel kishte edhe kryeministri. Albin Kurti vuri në dukje se “komuna është qeliza e Republikës”.

Demokracia në Veprim, DnV, koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoron zgjedhjet në Kosovë, përmend edhe disa nga parregullsitë në këtë proces. Sipas DnV-së, raportohet për vështirësi në gjetjen e emrit në listën e votuesve, ndonëse në nivele shumë më të ulëta krahasuar me raundin e parë, më 17 tetor.