Bota

Balotazhi presidencial në Francë, Macron drejt fitores?

Francezët po votojnë në zgjedhjet që pritet të vendosin nëse presidenti aktual pro-europian, Emmanuel Macron do të rikonfirmohet për një tjetër mandat 5-vjeçar apo euroskeptikja Marine Le Pen do të arrijë të realizojë synimin për të ardhur në krye të shtetit.  Sondazhet e ditëve të fundit i dhanë Macron-it një rritje të lehtë dhe analistët vlerësojnë se “pavarësisht përpjekjeve për të zbutur tonet e imazhin”, Le Pen mbetet figurë jo shumë popullore për një pjesë të konsiderueshme të votuesve.

Por, një fitore e beftë e Le Pen-it nuk mund të përjashtohet, duke marrë parasysh numrin e madh të votuesve të pavendosur. Ndonëse anketat nuk i japin shumicën asnjërit kandidat, zgjedhjet varen nga votuesit që në ankth peshojnë një presidencë të ekstremit të djathtë përballë zemërimit për presidencën aktuale të Macron-it.

Për Bashkimin Europian, triumfi i mundshëm i zonjës Le Pen do të shkaktonte të njëjtën tronditje të përjetuar kur britanikët i thanë “PO” largimit nga Unioni, në referendumin e 23 qershorit 2016.

Le Pen këmbëngul se dëshiron të qëndrojë në Bashkimin Europian, por të reformojë Bllokun në një “aleancë kombesh”. Ajo njihet si kundërshtare e ashpër e emigracionit e po ashtu për “flirtet” me Rusinë, madje ka marrë edhe një kredi financiare nga një bankë ruso-çeke. Për BE-në, nuk është pak kur ende nuk ka marrë veten nga fitorja jo dhe aq e pritshme e kryeministrit hungarez Viktor Orban, të cilit presidenti i Ukrainës, Zelensky iu referua si “i vetmi në Europë që mbështet hapur Putinin”. Zelensky shprehej:

Nuk kam frikë ta thërras luftën me emrin e tij, kjo quhet ndershmëri, por është diçka që i mungon Viktor Orbanit e ndoshta e ka humbur diku në marrëdhëniet e tij me Moskën.

Macron është favorit për të fituar balotazhin e sotëm, por analistët dhe aleatët e presidentit kanë paralajmëruar se rezultati është larg një përfundimi të përcaktuar, me sondazhet që deri vonë tregonin se “mbi 10 për qind e francezëve, ende nuk kanë vendosur për kë të votojnë”. Në Francë, qendrat e votimit u hapën në 08:00 të mëngjesit, për t’u mbyllur në orën 20:00 të mbrëmjes. Pak minuta më vonë, dalin rezultatet e sondazheve të para, të cilat priten me shumë interes.