Aktualitet

Banka Botërore për rritjen ekonomike të Shqipërisë: “Më e shpejtë se pritshmëritë!”

Prezantohet në Tiranë, Raporti Periodik Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Rimëkëmbje e gjelbër”. Ekonomia e Shqipërisë po rimëkëmbet më shpejt nga sa pritej, pas krizës historike të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Pas tkurrjes së ekonomisë me 4% në 2020-ën, për vitin 2021, parashikohet që rritja e PBB-së të shkojë në 7.2 për qind, ndër më të lartat në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo rimëkëmbje e fortë, kryesisht mbështetet te konsumi, turizmi dhe ndërtimi. Në vijim, pritet që rritja të jetë në nivel mesatar prej 3.8% për vitin 2022 dhe 3.7 për 2023-shin. Në fund të vitit 2021, parashikohet që niveli i varfërisë në Shqipëri të bjerë në atë të para pandemisë. Po ashtu, punësimi dhe pjesëmarrja e forcës së punës janë drejt rimëkëmbjes, edhe pse me ngadalësi. Pagat reale po rriten!

Sipas BB-së, ringritja po kontribuon në mbledhjen e të ardhurave fiskale. Politikat ekonomike e kanë mbështetur këtë rimëkëmbje, por shtimi shpenzimeve ka çuar në rritje të mëtejshme të raportit të borxhit kundrejt PBB-së. Ndërsa pandemia COVID-19 vazhdon në mbarë botën, pasiguria mbetet e lartë.

Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë:

Gjatë vitit 2021, ekonomia shqiptare shfaqi shenja inkurajuese të rimëkëmbjes. Me fuqizimin e rritjes, Shqipëria ka mundësi të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik e të zbatojë reformat që do të mbështetin më tej rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.

Raporti tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, me një rritje të PBB-së që parashikohet të arrijë në 5.9% për këtë vit, pas tkurrjes me 3.1 në 2020-ën. Rritja e rajonit parashikohet të arrijë në 4.1% për vitin 2022 dhe 3.8% për 2023-shin. Norma e varfërisë për rajonin parashikohet të shkojë në nivelet para pandemisë e të ulet me rreth 1 pikë përqindje ose 20.3%, çka është pranë niveleve të 2019-ës.

Rimëkëmbja në mbarë rajonin vjen falë forcimit të kërkesës vendase dhe asaj të huaj. Rritja e fortë e konsumit vendas e rinisja e udhëtimeve në Europë ndihmuan në rritjen e dërgesave, si dhe flukseve hyrëse të turistëve gjatë kulmit të sezonit veror. Ringritja e fortë e ekonomive të përparuara siguroi, rritje të kërkesës për eksporte nga rajoni. Megjithatë, rimëkëmbja mbetet e brishtë. Sinjalet paralajmëruese nga tregu i punës kërkojnë vëmendje të madhe me politika. Humbja e vendeve të punës për shkak të krizës dhe periudhës pasuese, preku shpërpjesëtimisht gratë e të rinjtë, çka mund të sprapsë përpjekjet për rritjen e shkallës, ndërkaq të ulët, të pjesëmarrjes së forcës së punës në rajon. Në vitin 2021, papunësia te të rinjtë në rajon shkoi në 37.7%, duke u rritur me 5.4 pikë përqindje nga qershori i vitit 2020, çka përkeqësoi më tej perspektivat e punësimit të të rinjve.

Linda Van Gelder, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor kishte një kërkesë:

Ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor shohin përpara drejt së ardhmes pas pandemisë, politikat e tyre duhet të përqendrohen në heqjen e pengesave kryesore për shtimin e vendeve të punës dhe transformimin ekonomik, përfshirë tranzicionin e gjelbër. Të gjashta vendet do të përfitonin nga reformat në mjedisin e biznesit, qeverisje dhe digjitalizim, çka do të kontribuonte në rritje dhe në ngushtimin e hendekut me vendet e BE-së.

Aktualisht, Ballkani Perëndimor e gjen veten në moment vendimmarrjeje kyçe lidhur me tranzicionin e gjelbër, që është i pashmangshëm. Përpjekjet globale të aksionit për klimën po shkaktojnë ndryshime themelore në shoqëri. Preferencat e konsumatorëve dhe investuesve po ndryshojnë, teknologjitë e gjelbra dhe modelet e reja të biznesit po trazojnë më shumë tregjet. Kalimi drejt ekonomisë së gjelbër, për çdo vend, po bëhet faktor vendimtar në konkurrencën ndërkombëtare dhe aftësinë për të tërhequr financime e investime ndërkombëtare.