Aktualitet

Banka e Shqipërisë: Çmimi i banesave ka vijuar të rritet!

Banka e Shqipërisë ka dalë në përfundimin se çmimi i banesave ka vijuar rritet edhe në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Sipas Bankës, Indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 8.4%% krahasuar me gjashtëmujorin e parë dhe me 9% me bazë vjetore. Ky ndryshim tregon se, sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit 2021, rritja e çmimeve të banesave në vend është përshpejtuar ndjeshëm. Megjithatë, duke iu referuar vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore e çmimit të banesave rezultoi më e ngadalësuar, krahasuar me nivelin 11.3% të vitit 2020.

Tendenca e rritjes së çmimeve të banesave ka vijuar edhe për tregun më të madh të pronave në vend, atë të Tiranës. Çmimet e banesave në kryeqytet u rritën me 8.5% krahasuar me 6-mujorin e dytë 2020 dhe me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për Tiranën, rritja vjetore e çmimeve rezultoi më e lartë krahasuar me nivelin 8.9% që ishte regjistruar gjatë vitit 2020. Numri i njësive të shitura në zonat më të preferuara të kryeqytetit ishte dy herë më i lartë në krahasim me vëllimin e shitjeve të realizuara gjatë gjysmës së parë të viti. Për shkak të çmimeve më të larta të kësaj zone, ky zhvillim përfaqëson edhe faktorin kryesor pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të banesave gjatë periudhës.

Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë konfirmon se çmimet e pronave vazhdojnë të rriten, ndonëse me ritme disi më të ngadalta krahasuar me vitin 2020. Pritshmëritë e agjentëve të tregut janë përsëri optimiste për të ardhmen e afërt, pavarësisht zhvillimeve inflacioniste. Agjentët presin gjithashtu rritje të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat dhe pronat tregtare. Sidoqoftë, vrojtimi i këtij gjashtëmujori është kryer para shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe nuk përfshin ndikimin e mundshëm të këtij faktor në perceptimin dhe pritshmëritë e aktorëve të tregut. Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme dhe ndërtimin, shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së tregut.