Aktualitet

Banorët e “5 Majit” vijojnë protestat/Kryeministri Rama: “Askush nuk nxirret pa zgjidhje!”

Të prekur nga shembja e ndërtesave në kuadër të rindërtimit, vazhdojnë protestat e banorëve të zonës së “5 Majit” në Tiranë. Ata veçojnë si problematike kontratat dhe i quajnë “të njëanshme”.  Ndërkohë, në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama iu përgjigj disa komentuesve. Rama tha se “secili banor ka marrë pjesën që i takon dhe se askush nuk është nxjerrë nga banesa pa pasur një zgjidhje”.

Një prej banorëve të “5 Majit” shkruan:

Po pse nuk shënon a duhet t’i nxirrja me forcë banorët e 5 Majit?! Ishte vërtet një veprim i paligjshëm! Për mos të përmendur përndjekjen e vazhdueshme të shitësve ambulantë ku policia bashkiake e lali Erit u prishte gjithë tezgat.

Kryeministri Rama i përgjigjet banorit:

Patjetër që kush nuk del me hir duhet të dalë me pahir, pasi e ka marrë atë që i takon siç e kanë marrë të tërë banorët tek “5 Maji”, ndërsa shitësit ambulantë nuk lejohen askund që të hapen si vaji në lakra përtej vendeve të lejuara.

Një tjetër banore e fton të zgjidhë problemin e “5 Majit”.

Nuk është e vërtetë që banorët po trajtohen siç ju takon! Po nxirren me dhunë nga banesat e tyre, pa firmosur asnjë kontratë. Refuzimi i firmosjes së kontratës bëhet sepse ajo është e njëanshme e pavlefshme dhe në dëm të qytetarëve. Ju lutem trajtojeni problemin rast pas rasti! Secili rast ka problematikë të veçantë. Ndalojeni këtë që po ndodh, është realisht e tmerrshme. Nuk jemi aspak të paligjshëm.

Kreu i qeverisë shprehet:

Askush nuk nxirret pa një zgjidhje, dëmshpërblim apo bonus qiraje dhe kompensim me banesë sociale, njësoj siç bëmë me të prekurit nga tërmeti. Refuzimi nuk e bllokon dot procesin e zhvillimit dhe sigurisht që pasohet me nxjerrje forcërisht, përderisa të tërëve u është dhënë zgjidhja e askush nuk është lënë në qiell të hapur.

Më 19 janar, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e “5 Majit” në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit. Në total, preken 430 banesa nga projekti i rindërtimit.