Aktualitet

Banorët e Rinasit në protestë; bllokojnë rrugën! Kryeplaku i fshatit: Nëse nuk hapet nesër, nuk i dërgojmë fëmijët në shkollë

Banorët e Rinasit po protestojnë sërish sot, duke bllokuar aksin rrugor për në drejtim të Rinasit, pas vendimit për të devijuar lëvizjen drejt Aeroportit të Rinasit, duke e kthyer me një sens lëvizje, me drejtim nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq. 260 shtëpi preken nga bllokimi i rrugës, ndërsa 130 fëmijë duhet të përshkojnë një rrugë shumë të gjatë për të shkuar në shkollë. Kryeplaku i fshatit, Sabah Muja, tha se situata duhet të shkojë drejt zgjidhjes.

‘Të gjithë banorët të ruajnë qetësinë. Kemi marrë konfirmim nga organet kompetence. Kjo lehtësi bëhet vetëm për banorët. Tregoni qytetari. Do hapet rruga për të gjithë komunitetin. Kështu më thanë institucionet përkatëse’’- u shpreh Sabah Muja, kryeplak i fshatit.

Deputetja e zonës, e Partisë Demokratike Andia Ulliri ka shkuar në mbështetje të banorëve, e cila tha se atyre u janë cënuar të drejtat.

ARRSH ka vendosur që për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.

Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Rruga e njohur si ‘Ura e Hajdutëve’ që të lidh me Kamzën është bërë me një sens lëvizje dhe banorët e asaj zone që duhet të shkojnë drejt Rinasit apo për të shkuar në autostradë, nuk kalojnë dot aty. Ata duhet të shkojnë tek Ura e Gjolës, më pas tek Fushë Preza dhe për të kaluar më pas tek rrethrrotullimi i Vorës për të marrë aksin e autostradës.

Kryeplaku i fshatit Rinas: Nëse nuk hapet rruga deri nesër, s’do çojmë fëmijët në shkollë dhe do bllokojmë aeroportin ‘Nënë Tereza’

Banorët e Rinasit thonë se nëse nuk hapet rruga deri nesër do të bojkotojnë mësimin. Sabah Muja kryeplak i fshatit tha se ka besim se nesër do të hapet rruga, por në rast të kundër ai tha se s’do të dërgojnë fëmijët në shkollë.

‘Banorët: Nëse nuk hapet rruga deri nesër, s’do çojmë fëmijët në shkollë dhe do bllokojmë aeroportin ‘Nënë Tereza’. Ne do kemi të kemi të drejtë që të udhëtojmë. U bëj thirrje komunitetit të ruajmë qetësinë. Në krahun tjetër i bëj thirrje qeverisë se kërkesat tona janë legjitime dhe të drejta, është problem i yni jetik. Ne do të vendosim sanksione. Nga nesër nëse nuk do të hapet rruga nuk do të lejojmë fëmijët që të shkojnë në shkollë. Të gjithë banorët kanë të drejtën legjitime të bllokojnë dhe aeroportin e Rinasit. Kërkojmë shkollën, ambulancën dhe tokën bujqësore. Me atë tokë jetojmë, ajo del jashtë përdorimit, çdo gjë.’- tha Muja.

Më herët, kreu i ARRSH-së Ervis Berberi bëri thirrje për qytetarët që të përdorin rrugë alternative dhe jo atë të Rinasit që shërben si rrugë për aeroportin.

Ai u shpreh se për të shkuar nga Fushë-Kruja në drejtim të Vorës apo Tiranës duhen përdorur rrugë të tjera.

Ndërkohë, Berberi tregoi se janë duke shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe tani është vetëm periudhë prove.