Konfuzion te Barcelona! Pasi njoftoi me anë të një komunikate zyrtare mbylljen e bashkëpunimeve me Joao Felix, Joao Cancelon dhe Marcos Alonson, katalanasit kanë ndryshuar mendje.
“Kontrata e mbrojtësit spanjoll përfundon sot, ashtu si edhe huazimet e dy lojtarëve portugezë, të cilët do të rikthehen në klubet e tyre.
Barcelona shpreh vlerësimin e saj për angazhimin dhe përkushtimin e tyre. Dhe u uron gjithë të mirat dhe suksese në të ardhmen”, lexohej në postimin e Barçës.
Që më pas ka vendosur të fshijë njoftimin e ndarjes me dy futbollistët luzitanë! Duke mbajtur vetëm atë të largimit të Marcos Alonsos.
Joao Felix është nën kontratë me Atletico Madrid, ndërkohë që kartonin e Joao Cancelos e zotëron Manchester City.
Shtypi spanjoll raporton se drejtuesit e Barcelonës po bisedojnë intensivisht me Jorge Mendes, menaxherin e dy futbollistëve.
Dhe nuk përjashtohet fakti që dy portugezët të vijojnë aventurën e tyre tek ekipi që prej sezonit të ardhshëm do të drejtohet nga gjermani Flick.
Ky është shpjegimi i vetëm për momentin i veprimit të klubit. Që në më pak se një orë ka ndryshuar mendim duke hequr nga faqja zyrtare lajmërimin e ndarjes me Felix dhe Cancelon.