Lifestyle

Bariu sëmuret nga Covid-19, Kryetari i Bashkisë shkon t’i ruajë delet

Ngjarja e pazakontë ndodh në provincën e Trapani, e cila gjendet në Siçilinë e Italisë. Kryetari i Bashkisë shkon të kujdeset për delet e një bashkëqytetari në vështirësi, i cili u sëmur me Covid-19. Kryetari i Bashkisë është Gaspare Giacalone, i cili mori një telefonatë me një kërkesë për ndihmë nga një banor i kësaj province, i cili ndodhej në vështirësi dhe mori përispër të ruajë kopenë me 250 delet e bariut të sëmurë.

Ky është postimi që kryetari i bashkisë postoi në profilin e tij në Facebook: “Këtë mëngjes më gjeni mes deleve, qengjave dhe dhive, sepse bariu Antonio, më thirri i dëshpëruar për ta ndihmuar. Ai sapo ka mësuar se është infektuar bashkë me familjen e tij dhe nuk ka askënd që të kujdeset për kopenë. Unë menjëherë vrapova për ta ndihmuar. Ai po qëndron në shtëpi ndërsa unë përpiqem t’i jap një farë ngushëllimi dhe mbështetje me telefon duke e ndihmuar për të gjetur një zgjidhje. Antonio e do punën e tij, ka gjithë jetën e tij që ruan delet dhe nuk dëshiron që t’i braktisë.  Unë nuk e kisha menduar kurrë se të jesh Kryetar Bashkie ishte e gjitha nder dhe lavdi. Po i vë këmbët në tokë të lagura nga djersa, ku ka punë dhe sakrifica. Aty ku ka vuajtje dhe nevojë. Sot ndihem pak më shumë Kryetar Bashkie se herët e tjera.”

Bariu doli pozitiv me Covid-19 dhe nuk gjeti askënd që të mund të kujdesej për tufën e tij ndërsa ishte në izolim, kështu që foli drejtpërdrejt me Kryetarin e Bashkisë për të kërkuar ndihmë, sigurisht pa e imagjinuar që kërkesa do të zbatohej pikërisht nga vetë ai.

Kryetari Giacalone, i cili u diplomua në ekonomi në Palermo dhe me një master në administrim biznesi, ka qenë për shumë vite zyrtar në Bankën Europiane të Investimeve në Londër dhe kurrë nuk do të kishte pritur që midis detyrave të tij si Kryetar Bashkisë do të ishte një ditë edhe në rolin e bariut, por për të mirën e qytetarëve duhet të jesh human mbi të gjitha.