Aktualitet

Basha: “25 prilli, masakër zgjedhore!”/Rama:”Ftesa për bashkëpunim, e hapur!”

Në një dalje nga Selia Blu ku kishte një falenderim për trupat e NATO-s me rastin e nisjes së stërvitjes masive “Defender Europe 21”, kryedemokrati Basha foli edhe për zgjedhjet parlamentare.

Basha përsëriti qëndrimin se “përfundimi i betejës së nisur nga demokratët do të sjellin atë që e cilësoi “fund të regjimit”. 25 prillit iu referua si “masakër elektorale” dhe gishtin e akuzave e drejtoi ndaj emrave konkretë:

25 prilli është masakër elektorale, viktima e të cilës nuk është PD-ja. Rezultati ynë flet qartë, besimi, shpresa që zgjuan e bashkuan pavarësisht prej rolit të paprecedentë të krimit të organizuar, parave të pista apo edhe shkrirjes së vijave mes partisë e shtetit, nuk ia dolën dot të zvogëlonte bashkimin.

Detyrimi i parë është para shqiptarëve, jo vetëm para kandidatëve për deputetë apo militantëve të PD-së që bënë betejë historike duke pasur përballë të gjithë.

Thënë kjo, një gjë është e sigurtë, ndërsa ne vijojmë mbledhjen e faktimin, gjithë kamerat e mikrofonët duhet të drejtojnë pyetjet tek autorët, Rama-Doshi-Rakipi. Si i morën votat 3 deputët e Tom Doshit, si i mori votat Vangjush Dako, Jurgis Çyrbja, Rrahman Rraja dhe Ilir Ndraxhi i Avdylajve? Si i mori votat djali dhe dhëndri i Aqif Rakipit? Si i mori votat Aurora Mara e Gent Marës?

A mund të pranojë Shqipëria, që sot mban me krenari anëtarësimin në NATO? Mban këtë peshë e krenari, ndërkohë që mban edhe këtë masakër elektorale?  Një nga kushtet kryesore të anëtarësimit të NATO ishte mbrojtja e demokracisë. Kjo betejë do bëhet në të gjitha frontet, mënyrat dhe mundësitë! Përfundimi do jetë i qartë, rrëzimi i regjimit!

Kryeministri Rama reagoi për akuzat e Bashës e në një mesazh në Twitter shkruan:

Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja! Mandati ynë i Tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit. Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë. Dora jonë për ta do jetë e shtrirë. Ftesa jonë për ta është e hapur! Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët! Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë.