Aktualitet

Basha akuza qeverisë për fermerët!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se ky nuk është buxheti i qytetarëve, por i klientëve të qeverisë. Në fjalën e tij në Kuvend, Basha tha se paradoksialisht qeveria që nuk dëgjon fermerët, që nuk dëgjon asnjë grup interesi, pasi ka arritur të lërë të pakënaqur të gjitha grupet e interesit, shoqata prodhuesish vendas, eksportuesish, investitorësh, tregtarësh, rekord historik ky në fakt që tregon shumë për cilësinë e politikave të qeverisë, është e njëjta qeveri që ka votuar në këtë sallë ligjin për bashkëqeverisjen. Basha shtoi se fermerët që protestojnë, kanë protestuar me të drejtë çdo vit që mos të gjenden përballë rrugës së vetme ku i çoni me shpërfilljen tuaj, te flakja e produkteve dhe largimi nga Shqipëria.

Protestojnë, sepse ndryshe nga sa përrallisni lart e poshtë, buxheti për bujqësinë për këtë vit, do të jetë më i ulët se i vitit të shkuar. Protestojnë, sepse përveç rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore që po e ndjejnë në xhepat e tyre, do të përballen edhe me rritjen shtesë me 10% të çmimit, meqenëse ju vendosët të shtoni me 10 % TVSH-në, e po ashtu po hiqni 6% e TVSH-së së kreditueshme. Protestojnë, sepse në vend të mbështesni prodhimin vendas, po e godisni në të gjitha hallkat e zinxhirit të ekonomisë së ushqimit. Por mbi të gjitha, protestojnë, sepse ju nuk jeni konsultuar me askënd për këto masa që po e dëmtojnë bujqësinë, po i dëmtojnë familjet që jetojnë me tokën dhe blegtorinë, dëmton bizneset që kanë investuar në këtë sektor, protestojnë, sepse nuk keni dëgjuar grupet e interesit përpara se të merrni angazhime që do të prodhojnë efekte negative të drejtpërdrejta në veprimtarinë e tyre. Dhe përsëri, fatkeqësisht kontrasti midis asaj që deklaroni dhe asaj që bëni është shumë i qartë, dhe shihet në zemëratën e atyre burrave dhe grave që mblidhen pak metra nga kjo ngrehinë, sepse janë përpara Parlamentit të vendit më bujqësor në Evropë, ku bujqësia ka një impakt prej 20 % në prodhimin e brendshëm dhe jep mbështetjen më të vogël në Evropë për fermerët.