Aktualitet Politikë

Basha: Berisha po përhap lajme të rreme!

Ish-kryeministri Sali Berisha është rikthyer në Tropojë, ku ka vijuar me akuzat e tij në drejtim të Lulzim Bashës. Në një kohë që Lulzim Basha thotë se po takon demokratët në bazë, Berisha e akuzon se ai po “blen” demokratët duke i kërkuar që të firmosin për ’18 dhjetorin’ dhe në këmbim do i japë poste drejtorësh dhe zv.ministrash në qeverinë e Ramës. Kjo sipas Berishës, është një tregues se Basha dhe Rama po bashkëpunojnë.

” Në 8 vite peng kryetari që na çoi nga dështimi në dështim, me qëndrimet e tij defaktorizoj PD, e çoi para alternativës të jetë apo të mos jetë. 2 ditët e fundit, pengkryetari me një grusht vasalësh, po përpiqen që të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorësh, zv.ministra në kabinetin e Ramës”, tha Berisha.

Vjen përgjigja e Lulzim Bashës.

“Sali Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme, duke dashur t’i poshtërojë ata. Demokratët do të vijnë në Kuvend më 18 Dhjetor sepse duan bashkimin jo përçarjen, duan fitoren, jo izolimin e PD. Asnjë trillim dhe mashtrim nuk i’a zgjidh hallin Sali Berishës, sepse beteja e tij është për interesa personale, jo për demokratët”, tha Basha.