Politikë

Basha e akuzon për propagandë me përmbytjet, Rama: Opozita flet përçart!

Kryeministri Edi Rama replikon me Lulzim Bashën, pasi kryedemokrati e akuzoi për propagandë me përmbytjet. Në rrjete sociale kreu i ekzekutivit  thotë se opozita flet përçartë. “Sipas Bashës janë qindra mijëra njerëz nën ujë, kur në fakt nën ujë janë Saliu, Iliri, Luli dhe Mona që duan ta bëjnë komerdare edhe tërmetin, edhe virusin, edhe shiun, edhe borën, madje edhe Nusretin bashkë me Tiren, i duan për komerdare! Po halli është që s’i pret kush matanë”, shkruan Rama. Në përgjigjen e tij, kreu demokrat ironizoi se “Tirja e qeverisë e ka mendjen të gajaset në Twitter për të mbuluar dështimet e veta”.

Më herët Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi Kryeministrin Edi Rama për propagandë me fatkeqësinë. Në një dalje publike pak pas kreut të qeverisë, Lulzim Basha thotë se për 8 vite  në pushtet, socialistët nuk kanë bërë asnjë punë për të zgjidhur hallet e njerëzve. Sipas kryeopozitarit, Shkodra nuk është përmbytur nga shiu, por nga hapja e portave të kaskadës së Drinit. Gjithashtu Basha e cilësoi Ramën përgjegjës edhe për krizën ekonomike, të rënduar edhe më nga pandemia e koronavirusit.