Politikë

Basha: Kavaja ka sjell demokracinë, fitorja nuk ndalohet nga sulmet e bëra!

Lulzim Basha gjatë paradites së sotme zhvilloi takimin përmbyllës në Kavajë pikërisht një ditë pasi atje u plagos një nga aktivistët e Partisë Demokratike të këtij qyteti, Bledar Okshtuni. Kryedemokrati Basha deklaroi se Kavaja ka sjell demokracinë dhe fitorja sipas tij nuk  ndalohet nga sulmet e bëra, e këtu iu referua plagosjes së djeshme.

Të rinj dhe të reja të Kavajës, qytetarë, ora e fitores po afron. Ora e ndryshimit po afron, dita po vjen, për ta larguar me votën e Kavajës e Shqiptarëve të bashkuar njeriun që për tetë vite me radhë e mbajti peng vendin. E përzuri rininë. I ka hyrë frika në palcë, e ka kuptuar dhe paniku i humbjes e ka tmerruar, sepse ai më shumë e më mirë se asnjëherë e di se me 25 prill, Shqipëria fiton dhe Edi Rama humb. Vëllezër dhe motra, Kavaja ia ka vënë gjithmonë tonin demokracisë. Ishte Kavaja që u ngrit e para. Ishte Kavaja që nuk u tremb kurrë nga diktatura. Është Kavaja që e ndezi fitoren tonë për ndryshim. Është Kavaja që do i prijë fitores së gjithë Shqipërisë

Nga Kavaja, kryedemokrati nuk i ndali akuzat ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama.

Ne të gjithë e dimë fare mirë se një njeri i vetëm i cili për 8 vite me radhë nuk arriti të bëjë gjë tjetër veçse të shkaktojë plagë në trupin e familjeve shqiptare dhe ekonomisë sonë. Një njeri që 8 vite me rrallë pati të gjitha pushtetet e dështoi, nuk mundet kurrë në asnjë formë, me asnjë mënyrë ta ndalë këtë uragan shprese. Të gjithë e dimë se vota për ndryshim, vota për fitoren e Partisë Demokratike është rruga që do të hapë punën, mirëqenien, ekonominë, integrimin europian të vendit

Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me gratë në Tiranë, me të cilat diskutoi mbi problematikat e jetës së tyre të përditshme. Mes të tjerash, gratë dhe nënat e Tiranës i kanë thënë Bashës se do ta mbështesin më 25 prill, pasi duan një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, por edhe për Shqipërinë Evropiane.