Aktualitet Politikë

Basha: “Kriza vjen nga qeverisja e keqe, nxisim e përkrahim reagimin popullor!”

Në një tjetër reagim lidhur me paralajmërimin e kryeministrit Rama për krizën energjetike e pasojat në Shqipëri, Lulzim Basha shtroi sot pyetjen se ku shkoi reforma në këtë sektor?

Duhet të kujtoj këtu se Edi Rama e premtoi uljen e çmimit të energjisë, por e rriti si për familjarët, ashtu edhe për bizneset. Dhjetëra familjarë kanë vrarë veten në qelitë ku janë burgosur nga Edi Rama për faturat. Mbi 1 mijë janë burgosur, të tjerë kanë kaluar një natë në komisariat, në kuadër të reformës për energjinë. Jemi vendi i katërt ku pjesa më e madhe për buxhetin shkon për energjinë. Çfarë u bë me reformën e energjisë? Ku shkuan paratë e vjelura të qytetarëve apo gjoja të mirëadministruara? Ne e dimë se çmimi i energjisë u rrit dhe i karburantit u rrit dy herë. Eshtë fabul, një anekdotë se si në zonat kufitare kalojnë e blejnë karburant në Kosovë apo Maqedoni të Veriut.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar, kryetari demokrat iu tha gazetarëve se do të bëjnë gjithçka për të ndalur atë që e quan “fatkeqësi të re që po përgatit Edi Rama”. Sipas Bashës, “kriza vjen nga keq-qeverisja”.

Kjo është pasojë e keq-qeverisjes së tij, e vendimmarrjes së tij gjakftohtë, kriminale. Paratë që duhej të çonte për uljen e çmimit të energjisë i mori dhe pasuroi veten e një grup oligarkësh, që janë pjesë e thellimit të vjedhjes e problemit. Ne jo vetëm kemi propozime që u bënë publike dje e që do të zhvillohen në detaje, në bashkëpunim me grupe të interesit, por ne do të bëjmë gjithçka për të ndalur këtë fatkeqësi të re, që po përgatit Edi Rama.

Ka vetëm një mënyrë për të mbushur gropën e korrupsionit, paratë e zhvatura me PPP, tendera korruptivë, koncensione e afera: këto para’ të shërbejnë për të plotësuar ato hapa të menjëhershëm që ne kemi propozuar. Nxisim e përkrahim të gjitha format e reagimit popullor.