Aktualitet

Basha në Korçë, pritet me protesta: Të ecim përpara drejt së ardhmes!

Kryedemokrati Lulzim Basha ka vijuar takimet e tij me demokratët duke u ndalur ditën e sotme në qytetin e Korçës.

Gjatë fjalës së tij ai tha se demokratët jo vetëm në Korçë por në të gjithë Shqipërinë zgjodhën të ardhmen.

“Jam i lumtur që jam në mesin tuaj sepse shikoj në sytë tuaj shpresën, besimin dhe vendoshmërinë për të ecur përpara drejt të ardhmes që kemi zgjedhur. Prania juaj në këtë mbremje të ftohtë këtu në Korçë flet kaq shumë, me njerëz përfaqësues të sakrificës së demokratëve, të atyre demokratëve që nuk e mendojnë PD-në si biznes dhe vetëm japin dhe japin.

Misioni ynë është të ndërtojmë një shtet funksional që t’u shërbejë njerëzve. Kjo është jë orë kur fermerët e Korçës kthehen në shtëpi me kokën ulur, jo se lodhen por sepse nuk ka në krah asgjë përveç familjes dhe Zoti, nuk e kanë në krah qeverinë. Ka një qeveri që është kundër tyre që siç u zbulua dhe tani se mbajnë dot gojën mbyllur ndërton skema për të derdhur rrëke djersën e fermerëve në kanal vetëm që një grusht njerëzish të pasurohen. Sot 1 në 2 familje shqiptare nuk sigurojnë dot me shumë se një vakt të ngrohtë në ditë. Nuk ka ekonomi, s’ka punësim dhe s’ka shpresë”- tha ai.

Ndërkaq militantët e Sali Berishës e kanë pritur me protestë kreun e PD-së, Lulzim Bashën pasditen e sotme në Korçë. Me thirrjet ‘Basha ik’ dhe pankarta nëpër duar, ata u mblodhën në hyrje të kinemasë së Korçës, ku do të zhvillohet takimi i Bashës me demokratët. Mbështetësit e Berishës nuk i kursyen as sharjet, duke bërë që të përplasen me simpatizantët e Bashës. E pranishme ishte edhe policia, duke shmangur që përplasja mes tyre të shkonte deri në përplasje fizike.