Aktualitet Politikë

Basha në Kuvend: 50% e shqiptarëve jetojnë me rrezikun e varfërisë!

Kreu i PD-së, Lulzim Basha u shpreh se 50% e shqiptarëve jetojnë me rrezikun e varfërisë dhe probleme të shumta ekonomike në vendin tonë, ndryshe nga ajo që thotë qeveria me në krye Edi Ramën, sipas tij.

Shumë faktorë ekonomikë me autor Ramën kanë sjellë largim të shqiptarëve dhe “importimin e hallexhinjve nga të gjitha cepat e botës”, sipas Bashës.

“Dhe kjo çmenduri me paratë e qytetarëve të vendit më të varfër të Europës, 50% e të cilëve jetojnë me rrezikun e varfërisë dhe përjashtimit social, sipas Eurostatit me një shifër që është më e larta në rajon dhe 2 herë me e lartë se mesatarja e BE-së; Kjo çmenduri dhe babëzi për pushtet dhe pasuri, ka bërë që të eksportojmë shqiptarë, të cilëve u është mohuar një e ardhme më e mirë në vendin e tyre, e të importojmë hallexhinj, nga cepat më të largët të botës, për të zëvendësuar bijët dhe bijat e shqiptarëve, me skllevër modernë, pa të drejta politike. Ndaj edhe sot, kur PPP-të zënë gjysmën e prodhimit të brendshëm bruto, sipas FMN-së, me borxhin publik më të lartë të historisë, përgjigjja e këtij që ulet prapa, për çmimet e rritura, për konsumin dhe të ardhurat për frymë më të ulëta në Europë, është si ajo për largimin e shqiptarëve: një ngritje supesh“, tha Basha.

“Largimi i shqiptarëve, katastrofë kombëtare”, thotë Basha.

“Pak ditë më parë, pak kujt i ka shpëtuar një lajm mbi përgjigjen që ky që duhet të qëndronte ulur këtu mbrapa, i kishte kthyer pyetjes, si do të frenohet ikja e shqiptarëve. Dhe në atë që tashmë njihet si përpjekja e tij djallëzore për të normalizuar të keqen, lexova që ka thënë se nuk ka forcë ta ndalojë largimin e shqiptarëve. Pyetja që sot dua të shtroj përpara shqiptarëve, është nëse realisht është e pamundur të ndalohet kjo katastrofë kombëtare që po ndodh, dëshmitarë të së cilës jemi të gjithë ne, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Teksa shohim shkollat që mbyllen për mungesë nxënësish, fshatrat që zhduken nga harta e Shqipërisë, të rinj dhe të reja që ikin përditë, studentë që nuk duan të kthehen më pas një përvoje jashtë vendit. Pra, një tkurrje alarmuese që vendos në pikëpyetje të fortë qëndrueshmërinë tonë si shoqëri, jo vetëm sot, por edhe në dekadat në vijim.

Kreu i Partisë Demkratike,  shtoi se raportet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria është nën pushtetin e një qeverie të korruptuar.

“Natyrisht, kjo masakër me taksat e shqiptarëve, e cila prodhon edhe gjendjen e zymtë ekonomike dhe shoqërore në të cilën ndodhet vendi, nuk mund të ndalet me fjalë, as vetëm raporte ndërkombëtare që tregojnë natyrën e vërtetë të një pushteti të korruptuar. Ajo që ndodh jashtë kësaj salle, e ka origjinën në këtë sallë, ku shumica e qytetarëve nuk përfaqësohet si e tillë, për shkak të aleancës së politikanëve me krimin e organizuar dhe korrupsionit.