Aktualitet Politikë

Basha në Kuvend: Demokracia ka vdekur, e vrau Edi Rama!

Kreu i PD-së, Luzlim Basha më në fund pas 2 orësh debat e tension ka pranuar të flasë në foltoren e Kuvendit.

Ai është shprehur se demokracia ka vdekur duke hedhur akuza se kryeministri Rama është shkaktari.

Kreu i PD-së ka listuar dështimet sipas tij të qeverisë Rama, që nga arsimi e deri tek ekonomia.

“Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira.
Nuk vdiq për shkaqe natyrore, packa se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë.
Demokracia është vrarë.
Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje.
Provë e kësaj është fjalimi që ai mbajti pas dy mandatesh kryekëput të dështuara nga pikëpamja e interesit publik dhe përfitimit të qytetarëve; është deliri për të fryrë gjoksin përballë dështimit me pasoja tragjike të qeverisjes, dhe përpara paaftësisë kronike për të menduar për qoftë edhe një cast të vetëm për dicka tjetër, përveç mënyrës se si të mos lëshojë pushtetin e tij.

Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin më të rëndësishëm të saj që janë zgjedhjet, ky njeri nuk do të ishte duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe për atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sespe do të kishte punë me drejtësinë për cfarë i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij.
Sepse nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur për t’ju mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të tyre të lirë, askush me bilancin e tij të zi, nuk do të kishte shansin të dilte në këtë foltore për të përsëritur gënjeshtra të reja dhe për të amnistuar krime dhe dështime të vjetra”, tha Basha.

Basha tha se raporti i OSBE/ODIHR ishte gur varri mbi zgjedhjet e 25 prillit.

“Dhe mund të vazhdoj kështu me orë të tëra, duke numëruar të këqijat dhe poshtërsitë që i keni bërë shqiptarëve dhe Shqipërisë, nga aferat më të vjetra, tek ato më të reja, si ajo e portit të Durrësit.
Nga dështimi i reformës në arsim, te kolapsi nën peshën e PPP-ve korruptive, i reformës në shëndetësi.
Nga reforma e falimentuar territoriale, që u qëndis si një këmishë force për t’u shërbyer interesave tuaja politike, por jo qytetarëve, tek e sëmura e madhe, që është reforma në drejtësi.
Një e sëmurë që mbahet e intubuar nga partnerët, por e goditur dhe e rrezikuar nga virusi i korrupsionit i kësaj pakice që e ka kapur për të penguar ndëshkimin e merituar të eksponentëve të saj të korruptuar e të lidhur me krimin!
E pas kësaj ekspozeje të shkurtër, që shqiptarët e njohin mirë sepse pasojat i kanë vuajtur dhe i vuajnë në lëkurën e tyre, pyetja që ngrihet është ku i gjetët votat?
Dhe përgjigja e menjëhershme vjen prej një tjetër raporti ndërkombëtar, atij të OSBE/ODIHR, i cili konfirmon masakrën zgjedhore.
Aty thuhet se ka patur blerje masive të votave dhe presion ndaj votuesve.
Se partia në pushtet dhe shteti janë shkrirë në një.
Se asetet publike janë keqpërdorur në avantazh të partisë në pushtet, pra abuzim me pushtetin dhe funksionet publike!
Keni rritur fiktivisht punësimin në administratën publike, duke shtuar mbi 12 mijë vetë, për qëllime elektorale, keni ushtruar presion mbi administratën publike për të votuar partinë në pushtet.