Aktualitet Politikë

Basha paralajmëron takime nga veriu në jug: Ta lëmë pas të shkuarën! Mos iu dorëzoni trekëndëshit Berisha-Meta-Rama

Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë takimit me demokratët e Fierit këtë të dielë u bëri thirrje të gjithëve që ta lënë pas të shkuarën, duke nënkuptuar Sali Berishën dhe të zgjedhin të ardhmen.

Ai gjithashtu lajmëroi se do të zhvillojë takime me demokratët nga veriu në jug të vendit, duke theksuar se kanë detyra të mëdha për të realizuar.

Takimi i parë pas ngjarjes traumatike të së 8 janarit. Nga Fieri oshtin sot mesazhi i demokratëve zgjedhim të ardhmen për të ardhmen tonë, për familjen tonë demokratike, për vendin tonë, për familjet tona, për Fierin, Shqipërinë, shqiptarët kudo që janë. Të zgjedhim të ardhmen. 90% e familjeve shqiptare i shpenzojnë paratë për nevojat bazë dhe nuk kanë mundësi t’i blejnë fëmijëve një palë atlete. askush prej nesh nuk ka të drejtë të abuzojë me këtë besim, asnjë demokrat nuk është në borxh me ne, paraardhësi im duhet t’i thërriste mendjes, kokës duke i bërë shërbimin më të mirë regjimit më të korruptuar që është qeveria e Edi Ramës, por më 8 janar u kalua një vijë e kuqe që na ndan dhe duhet të na ndajë një herë e përgjithmonë. Me dhunë as nuk mund të shantazhohen dhe as nuk mund të detyrohen institucionet e demokratëve. Përgjigja jonë ndaj dhunës së qeverisë, kjo është vija e kuqe që u vendos më 8 janar nga Sali Berisha dhe një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje me demokratët. Dua t’ju ftoj të gjithë demokratët që do të shkoj t’i takoj nga jugu në veri le ta lëmë të shkuarën pas se kemi zgjedhur të ardhmen dhe kemi detyra të mëdha, tha Basha.

Ai këshilloi demokratët që të mos dorëzohen para ’trekëndëshit të Bermudës’, që nënkupton aleancën e fshehtë mes presidentit Ilir Meta, ish kreut të PD-së, Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama.

Kësaj shumice i themi mos e humbni besimin tek Shqipëria, mos u dorëzoni para trekëndëshit, kalorësve të tranzicionit që kanë marrë gjithçka dhe nuk duan të japin asgjë, që duan të jenë në karriget e pushtetit, se ata janë pakica absolute sado të zhurmshëm të jenë. Pushteti i grabitur nga sovranët. Shumica e shqiptarëve meritojnë ndryshimin, e duan dhe është misioni ynë të ndjekim ndryshimin. Sot jemi më të qartë se u ndal ndryshimi. Jemi më të qartë se miqtë dhe aleatët tanë nuk ishin aq zëlartë kur masakra zgjedhore e ndali ndryshimin, tha Basha.

Një pjesë e demokratëve të Fierit nuk e kanë mirëpritur Bashën në qytetin e tyre. Ata kanë zgjedhur të protestojnë me pankarta dhe të bllokojnë rrugën. Është dashur ndërhyrja e policisë që rruga të hapet.

Ata janë dëgjuar të thonë “O Berisha o hero gjithë Fieri ty të do”, “ Basha ik”, ”Rroftë Sali Berisha”, ndërsa nuk kanë kursyer edhe ofendimet ndaj policisë, të cilët kanë krijuar një kordon për të mos lejuar bllokimin e qarkullimit të makinave.