Aktualitet Politikë

Basha pas humbjes: Masakër elektorale, beteja vazhdon!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, doli në një konferencë për mediat nga selia blu, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit. Në mesazhin e tij, Basha u shpreh se demokratët ja dolën të rrëzojnë regjimin komunist, ndërsa shtoi se beteja për demokraci do të vijojë pa ndërprerë çdo çast, çdo ditë, çdo muaj e vit anembanë Shqipërisë.

“Të dashur shqiptarë e shqiptare, zonja e zotërinj, teksa muzgu i kësaj mbrëmjeje po bie mbi qytete e fshatra, mbi male e lugina, një tjetër hije po avitet në zemrat e mendjen e shqiptarëve anembanë vendit. A është ky muzgu i shpresës për Shqipërinë demokratike, normale e të zhvilluar, për Shqipërinë evropiane? Kemi shumë vite që luftojnë për demokracinë, u deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist, por ne ja dolëm. Ja dolëm se jemi njerëz të fortë, popull që beson te demokracia. Beteja jonë për demokraci ka vijuar pa ndërprerë cdo cast, cdo ditë, cdo muaj e vit anembanë Shqipërisë. Edhe këto muaj ne bëmë betejë për demokracinë. Unë besoja se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do ta fitonim dhe do ja kthenim Shqipërisë dmeorkacinë. Por këtë herë kjo nuk mjaftoi”, tha Basha.

Kryetari i PD-së,  deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër elektorale, ndërsa fajësoi kryetarin e PS-së, Edi Rama se ka përdorur para të pista për fushatë.

Gjatë fjalës së tij të parë pas humbjes, Basha tha nga selia e PD-se se janë më të vendosur se kurrë që të vazhdojnë betejën.

“Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan kushtetutën dhe kodin zgjdhor duke thyer të gjithë rregullat. Dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve.

Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë,  përdorën kriminelët dhe bandat,  kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median  duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale. Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij.  Dhe pavarësisht gjithë kësaj – ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë në Shqipëri.

Ne u bëmë më të fortë. Ne jemi më të vendosur se kurrë. Kushdo që mendon se ne do të dorëzohemi – nuk na njeh mirë! Ne do të vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë. Ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithçka kemi për demokracinë. Do vazhdojmë të luftojmë deri në fitore, sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne.”, tha Basha.