Aktualitet Rajoni

Basha pro reciprocitetit me Serbinë, Kosova është shtet i pavarur!

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas situatës së krijuar mes Kosovës e Serbisë me vendosjen e reciprocitetit për çështjen e targave nga Prishtina zyrtare.

Basha shkruan në “Twitter” se Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Sipas tij, qëndrimet e Beogradit zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas falsitetit të iniciativës së Novi Sadit.

 “Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.

Qëndrimet e Beogradit ndaj vendimit legjitim dhe që nuk cenon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel nga qeveria e Republikës së Kosovës, zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas falsitetit të iniciativës së Novi Sadit”, shkruan Basha.