Aktualitet Politikë

Basha rikthehet në “skenën politike”, takim me të rinjtë: 14 maji, data e skadencës së sistemit politik në Shqipëri! Kam reflektuar!

Demokrati Lulzim Basha i është rikthyer sot skenës politike pas një periudhe të gjatë shkëputjeje.

Basha ka kryer sot një takim me të rinjtë, ku në fokus të diskutimit ishin zgjedhjet e 14 majit dhe “zhgënjimi” siç e quajti ai që kanë qytetarët, duke e treguar me pjesëmarrjen e ulët në votime.

Lulzim Basha është rikthyer me 3 propozime të cilat sipas tij janë emergjencë kombëtare për t’u rikthyer besimin qytetarëve tek politika. Basha tha se duhet të ketë lista të hapura për kandidatët që duan të përfaqësojnë qytetarët, vetting për politikanët dhe kufizimi i mandateve për qeveritë.

Ai u shpreh se bojkoti i qytetarëve është një mesazh dhe jo indiferencë dhe se në fushatë kishte vetëm gjuhë tallëse dhe jo ofertë.

 “Politikanët janë mësuar që mos pjesëmarrjen në zgjedhje ta kërkojnë tek populli, se rinia nuk është më aq aktive. Përvoja ime më thotë ndryshe. Për 33 vite, që njerëzit thirren nga politika për hallet e veta, jo të tyre. Vjen një moment kur njerëzit thonë: Mjaft! Të parët që kanë folur me heshtje janë të rinjtë. Bojkoti nuk është indiferencë, është mesazh, ku baza është që nuk e shohin veten tek ofertat, nëse ka të tilla. Me sa ndoqa fushatën, që e ndoqa si njëri nga ju, vetëm ofertë nuk kishte. Kishte vetëm gjuhë agresive, tallava dhe tallje por jo ofertë. Politika u kthye në një Big Brother, në një shfaqje. Por qëllimi i shfaqjes është të zbavisë. Politika është instrumenti i vetëm i zhvillimit, a mund kthehet në tallava? 14 maji data e skadencës së sistemit politik në Shqipëri të krijuar me ndryshimet kushtetuese të 2008. Kam qene i distancuar nga politika, për të reflektuar. Reflektova. Dhe nuk kam qene i stakuar. Tashmë ka nevoje për përmbysjen e kësaj klase politike. 14 maji e tregoi me se miri këtë. Dua të më besojë rinia dhe të gjithë. Kemi shpresë. Që ta bëjmë këtë realitet, duhet të vëmë në lëvizje mekanizmat kushtetues.“– tha Basha