Aktualitet Politikë

Basha rikthekson domosdoshmërinë e vetting-ut në politikë!

Lulzim Basha përsërit qëndrimin për nevojën e vetting-ut në politikë. Në Twitter, kryetari i Partisë Demokratike shkruan:

Që të mos jemi të parët në Europë për përhapjen e korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të dytët në botë për ryshfetin, Shqipëria ka nevojë për vetting në politikë. Rrëzimi i murit të korrupsionit, si pengesa që varfëron familjet shqiptare, cënon rendin e sigurinë dhe vret demokracinë, do të çlirojë potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë e do të hapë rrugën drejt BE-së.

Vetting-u në politikë është një nga propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese. Edhe më herët, Basha ka vënë në dukje se “ky proces është i rëndësishëm, për të larguar nga politika njerëzit e korruptuar e të përfshirë në botën e krimit”.

Eshtë interesi i të gjithë shqiptarëve, i socialistëve dhe i demokratëve të thjeshtë, që politika të pastrohet nga llumi i tranzicionit, nga njerëz që këto 30 vjet pavarësisht siglës politike që kanë mbajtur, nganjëherë e kanë ndërruar, nganjëherë kanë dalë me sigla të reja, kanë përdorur politikën për t’u pasuruar paligjshmërisht dhe ç’është më e keqja, kanë futur në politikë llumin e shoqërisë, krimin e organizuar. Kanë shkatërruar konkurrencën në treg që është themeli i zhvillimit të ekonomisë dhe punësimit, duke fuqizuar një grusht njerëzish, vetëm e vetëm sepse ndajnë me ta favore, privilegje, pushtet dhe para, në kurriz të qindra-mijëra sipërmarrësve të ndershëm.

Kreu demokrat është shprehur i gatshëm të shkojë vetë i pari, për t’iu nënshtruar vetting-ut. Tashmë, demokratët kanë rikthyer propozimin që Venecia iu rrëzoi në 2018-ën për vetting-un e politikanëve. Kësaj here, të bindur se kërkesa e tyre do marrë dritën jeshile, pasi janë reflektuar vërejtjet e Komisionit.

Më tej, në propozim theksohej:

Në mënyrë që këtë proces ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së posaçme anit-korrupsion, që të marrë përsipër evidentimin një për një të çdo deputeti, kryetari bashkie, ministri, kryeministri, kreut të shtetit, krerëve të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura në raport me lidhje të papërshtatshme, pra me krimin e organizuar, pasuritë dhe ligjshmërinë e tyre, familjarët e tyre dhe ortakët e tyre.