Aktualitet Politikë

Basha sot në Durrës, mbështetësit e tij përplasen verbalisht me ata të Berishës, ndërhyn policia!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pritur nga një grup protestuesish në Durrës këtë të shtunë, ndërsa ka planifikuar një takim me demokratët.

Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha thërrasin me të madhe” Basha ik”, ndërsa disa prej tyre janë përplasur me grupin që mbështet kreun e PD-së.

Është dashur ndërhyrja e policisë që konflikti mos të përshkallëzohej më tej. Basha ka mbërritur për të takuar anëtarësinë dhe simpatizantët e PD-së në këtë qytet.

Prania e forcave të shumta policore ka mbajtur nën kontroll situatën. Mbështetësit e Berishës i janë referuar Bashës si tradhtar dhe i kanë bërë thirrje të pranojë rezultatin e votës së lirë të demokratëve.

Protesta u zhvillua në sheshin kryesor të Durrësit, para teatrit ”Aleksandër Moisiu” ku aktualisht po mbahet takimi i Bashës me mbështetësit e vet, ndërkohë protestuesit vijojnë të qëndrojnë në shesh.

Përplasja e thellë dhe e dhunshme për të marrë nën kontroll selinë blu në Tiranë, ia ka lënë vendin takimeve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në një tur në të gjithë vendin.

Basha është shoqëruar edhe nga një grup protestuesish kundër tij, në çdo takim të mbajtur me mbështetësit në disa qytete të vendit.