Aktualitet

Basha: “Zgjedhjet e 6 Marsit, anomali”/A do të qëndrojë pas humbjes së radhës?

“Anomali e një anomalie”, i cilëson Lulzim Basha zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit në Durrës, Shkodër, Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë e Vorë, ku me përjashtim të Rrogozhinës, kandidatët e Berishës, kanë siguruar më shumë vota se rivalët e Partisë Demokratike. Ndërsa numërimi po i afrohet fundit, socialistët fituan bashkitë Vorë, Rrogozhinë e Lushnjë dhe po shkojnë drejt fitores në Durrës e Dibër. Në Shkodër udhëheq Bardh Spahia i “Shtëpisë së Lirisë”.

Basha theksoi nevojën për një reformë të thellë zgjedhore.

Këto zgjedhje ishin anomali e një anomalie. Anomalia e parë që ndodhi ishin votimet moniste të 30 qershorit 2019. Anomali e dytë ishte se 4 nga kryebashkiakët monistë dolën me rekorde kriminale. Njëri ndërroi jetë dhe tjetri vendosi të kandidonte. Në këto kushte kur nuk ka asnjë reflektim për anomali të tjera të 25 prillit që çuan në deformimin e vullnetit të zgjedhësve, mendoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve e ka kuptuar edhe më qartë nevojën për reformë të thellë zgjedhore, për të cilën jemi përkushtuar prej fillimit. Eshtë arsyeja kryesore pse ndodhemi në atë Parlament, ku dy javë më parë kemi marrë një hap përpara, duke detyruar krijimin e Komisionit për Reformën Zgjedhore, bashkë me Reformën Territoriale dhe mbi të gjitha një Reformë Zgjedhore që t’i ofrojë shqiptarëve një sistem politik që i përfaqëson, i mbron e jep llogari para tyre. Ky nuk është rasti sot. Sot  kemi një sistem politik të vënë në shërbim të politikanëve, të një grushti politikanësh, të cilët e kanë kthyer në një pushtet që i pasuron, që i  bën gjithnjë e më sundimtarë, ndërsa varfëron shqiptarët.

Në një deklaratë për gazetarët, Basha ritheksoi se 6 Marsi “nuk është një normalitet”.

Me mospjesëmarrjen e madhe, me një numër rekord të ulët votuesish, ky është tashmë një fakt se qytetarët e braktisën procesin zgjedhor sepse nuk kishte asnjë garanci shtesë. Në disa raste ikën edhe garancitë formale pasi PD-së iu mohuan komisionerët. Ne kemi dërguar në SPAK tre denoncime, për Shkodrën, Dibrën dhe Rrogozhinën e po përgatisim edhe për KZAZ-në e Vorës.

I pyetur se përse qëndron pas 6 humbjeve radhazi, Basha u shpreh:

Jam i gatshëm të jap nga vetja ime për të vazhduar e udhëhequr PD-në dhe për të mos realizuar asnjë skenar të regjimit. PD nuk është pronë personale. Unë nuk kam humbur asnjë garë në jetën time, por për këtë do të kemi kohë të flasim! Unë e kuptoj shqetësimin personal të atyre që e bëjnë për interesa personale. Lufta ime nuk është për fatin tim personal. Kushdo që më kërkon të braktis betejën time, ajo është që t’u japim shqiptarëve rikthimin tek demokracia në procesin zgjedhor dhe përshpejtimin e reformave në PD!