Aktualitet Politikë

“Bashën e pret vrima e miut me revolucionin tonë”/ Berisha-ndërkombëtarëve: Më 8 janar donim vetëm të nxirrnin banditët nga shtëpia jonë

“Lulzim Bashën e pret vrima e miut nga revolucioni jonë”, ka qenë ky “kërcënimi” dhe fjalët e Sali Berishës gjatë takimit të paralajmëruar mëngjesin e kësaj të diele në Shkodër me mbështetësit e tij.

Ish-Kryeministri Berisha e nisi takimin me 1 minutë heshtje për legjendën e futbollit shkodran, Ramazan Rragami, i cili u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare një ditë më parë.

Ai e kishte premtuar se “revolucioni” nuk do të ndalet dhe protestat paqësore siç i quan do të vijojnë në të gjithë Shqipërinë, një gjë që e theksoi edhe gjatë takimit të sotëm në Shkodër.

Ish-Kryeministri gjatë fjalës së tij i është drejtuar ndërkombëtarëve të cilët nuk mund të mos “ndëshkonin” protestën e dhunshme të 8 janarit, duke e ritheksuar se ato janë paqësore dhe nuk do të ndalen.

 Thirrja për partnerët ndërkombëtar, ky është revolucion paqësor por i pandalshëm. Demokratët më 8 janar nuk kërkonin gjë tjetër, por arë që do të bënte një polici e çdo shteti të lirë, të nxirrnin banditët nga shtëpia e tij . Kush është ai që e sheh shtëpinë e tij plot me bandit dhe nuk “lufton” t’i nxjerri? 8 janari është vetëm fillimi, ju jap fjalën. Ata që mbështesin Bashën për të marrë peng pluralizmin do të dështojnë, tha ai.

Emrat e njohur demokratë të Shkodrës që janë parë në Pallatin e Sportit krah Berishës kanë qenë Voltana Ademi, Bardh Spahia, Lorenc Luka, Arvid Bushati etj, ndërkohë që nga Tirana kanë mbërritur Edmond Spaho, Belind Këlliçi dhe të tjerë mbështetës.