Bota

Bashkësia Politike Europiane, jo alternativë e BE-së!

Dy ditë para se Komisioni Europian të publikojë mendimin për t’u dhënë ose jo statusin e kandidatit Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë, në Bashkimin Europian po diskutohet edhe plani i Francës për krijimin e një Bashkësie Politike Europiane. Parisi doli me një dokument joformal, që prezantohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.

Dokumenti lidhur me Bashkësinë Politike Europiane u dërgua në prag të një takimi të liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në Bruksel javën e ardhshme, më 23 qershor. Në të njëjtën ditë mblidhet edhe Këshilli Europian, që si temë do të ketë zgjerimin e BE-së.

Më 23 dhe 24 qershor, Këshilli Europian do të ketë përpara kërkesën për të vendosur për aplikacionin e Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë, në bazë të mendimit të Komisionit Europian. Çfarëdo që të arrihet në këtë fazë në Këshill, për shkak të kërkesave për reforma që duhen plotësuar për t’u anëtarësuar në BE e kohëzgjatja që pason, sot, politika e zgjerimit nuk ofron kornizë të nevojshme politike për t’u përgjigjur ndaj nevojave historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta në Ukrainë e për të ndërtuar strukturimin politik të kontinentit europian. Për këtë shkak, ne propozojmë që këtë vit të krijohet Bashkësia Politike Europiane mes të gjitha vendeve europiane që së bashku, dëshirojnë të kontribuojnë për sigurinë, stabilitetin e prosperitetin e kontinentit tonë.

Po ashtu nënvizohet se “Bashkësia Politike Europiane do të jetë e hapur për shtete europiane që ndajnë vlerat demokratike, pa marrë parasysh a janë apo jo anëtare të Bashkimit Europian dhe pa marrë parasysh natyrën e raporteve të tyre me Bashkimin Europian”.

Franca argumenton se “një Bashkësi Politike Europiane nuk do ta zëvendësonte Këshillin e Europës apo Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) apo raportet transatlantike”.

Por, sot ne nuk kemi një forum europian të paspecializuar, që do t’i bashkonte të gjithë anëtarët e familjes europiane në mënyrë të barabartë dhe në frymën e unitetit të kontinentit tonë.

Sipas Francës, “të gjitha kornizat do të mbeten, por duhet të krijohet një sens i unitetit”. Franca e mendon Bashkësinë Politike Evropiane si një bashkësi, e cila do të forconte lidhjet politike, ekonomike, kulturore e të sigurisë mes anëtarëve të saj.

Bashkësia Politike Europiane nuk do të jetë alternativë e anëtarësimit në BE dhe nuk do të jetë zëvendësim për procesin e zgjerimit. Për shtetet europiane që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, për më tepër do të jetë mundësi për forcimin e lidhjeve me vendet e BE-së, para se të bëhen anëtare, si në aspektin politik, ashtu edhe në pjesëmarrjen në disa politika të BE-së. Aty ku është e duhur, të integrohen gradualisht në tregun e brendshëm të BE-së.