Aktualitet

Bashkësia Politike Europiane mes konkluzioneve që presin miratim në samitin e BE-së!

Në të fundit samit të BE-së gjatë presidencës franceze, pasi më 1 korrik, kryesimin e Unionit e merr Republika Çeke, sot dhe nesër Bashkimi Europian do të mbështesë plotësisht e pa asnjë dyshim perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Po ashtu, pritet të bëjë ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Kjo theksohet në draftin e konkluzioneve që do të miratohen në takim.

Komisionit Europian, kryediplomatit të Unionit, Josep Borrell e Këshillit do t’iu kërkohet, të avancojnë më tej integrimin gradual mes Bashkimit Europian e rajonit, bazuar në merita. Në dokument, një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut mes Kosovës e Serbisë. Gjithashtu, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.

Këshilli Europian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale e rajonale, në veçanti në dialogun mes Beogradit e Prishtinës për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Dita nis me takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor e BE-së. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte e para e cila konfirmoi pjesëmarrjen. Më pas, këtë e bënë kryeministri Rama e liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, tre vendeve që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” e që më parë e kishin vënë në pikëpyetje praninë.

Në draftin e konkluzioneve të përgatitura për samit, flitet edhe mbi idenë e krijimit të Bashkësisë Politike Europiane.

Këshilli zhvilloi diskutim strategjik për raportet e Bllokut me partnerët në Europë. Diskutoi propozimin për krijimin e një Bashkësie Politike Europiane. Qëllimi është të ofrohet një platformë për koordinimin politik të vendeve europiane përgjatë gjithë kontinentit. Qëllimi është të forcohet dialogu politik dhe bashkëpunimi për t’i adresuar çështjet e interesit të përbashkët në mënyrë që të rritet siguria, stabiliteti e prosperiteti i kontinentit europian. Një kornizë e tillë nuk do t’i zëvendësojë politikat dhe instrumentet ekzistuese, më saktësisht zgjerimin e do të respektojë autonominë e BE-së në vendimmarrje.