Aktualitet

Baste sportive dhe baste politike…!

Opinion nga Zilie Feçi

Baste sportive dhe baste politike…!

Vera e nxehtë kaloi me spiunë rusë, me Berishën dhe Metën që mendojnë njësoj, që janë aq sinkron sa dhe daljet për median nga selitë e tyre i kronometruan deri edhe në sekonda. Vjeshta e parë ende pa trokitur prodhoi lajm e zhurmë. Shkarkimi i Gledis Nanos, pas qëndresës për të mos dhënë dorëheqje ishte kryelajmi i ditës së fundit të verës shoqëruar edhe me atë të hapjes së basteve.

Por a ka lidhje mes të dyjave? Nëse i lidh bastet me krimin padyshim që ka. Mjafton vetëm emri i Ervis Martinajt, i ‘zhdukur’ apo ‘marrë peng’ që të kuptohet lehtësisht lidhja mes tyre dhe mbi të gjitha basti i humbur i Gledis Nanos, i vendosur në krye të policisë si “kolateral amerikan’.

Në përpjekje për të mësuar arsyet e vërteta të shkarkimit të Nanos, krejt të kundërta me atë që tha Qeveria, më shumë se ‘objektivat e papërmbushura’ ka qenë një konflikt me ministrin Çuçi për disa emërime në disa drejtori policie.

E në këtë rast bastin e fitoi politika, sepse Rama vendosi të luante ‘1’ ministrin dhe nuk preferoi ‘X’ që në gjuhën sportive është barazim.
Por pse Rama vendosi të luajë kështu?! E para, më shumë se një drejtor policie qeveria dëmtohet nga largimi i një ministri. Shumë do të thonë se shkarkime ministrash Rama ka firmosur dhe në të shkuarën, por nuk ka pësuar asgjë Qeveria. E parë kjo në kontekst politik. E dyta, Ramën nuk e dëmton Gledis Nano, sepse as Meta dhe as Berisha nuk kanë në shënjestër teknicienë, por Ramën dhe njerëzit e tij.

Por, dy liderët e dy partive opozitare nuk janë në pozita karshillëku me Ambasadoren Yuri Kim për t’i vënë në dukje asaj se njeri i pëlqyer nga SHBA u shkarkua . Në daljet e tyre pas publikimit të lajmit, dy të ‘moçmit’ e politikës e luajtën ndryshe bastin, duke thënë se Gledisi ishte i pafuqishëm përballë krimit të Ramës. Megjithatë basti i vërtetë luhet në vjeshtën e plotë. Rama deri tani është i bindur se fiton vetë, kurse Berisha dhe Meta kanë vendosur dysh në skedina.

Ata janë të bindur se në nëntor bastet sportive do jenë në çdo cep pallati e rrufe, ashtu si para tre vjetësh kur u ndërmor operacioni ‘Fundi i Marrëzisë’. Por asnjë deri tani nuk flet për bastin që do vendosin të gjithë shqiptarët në prill kur të shkojnë në zgjedhje për kryetarët e bashkive. Këtu nuk ka asnjë parashikim, veçse dëshira të palëve.