Bota

BBC: Frikë pas dështimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi për targat

BE dhe Serbia kanë paralajmëruar se dhuna mund të shpërthejë në Kosovë pasi bisedimet e ndërmjetësuara nga BE dështuan për të zgjidhur një mosmarrëveshje mbi targat serbe të makinave.

Autoritetet e Kosovës duan që minoriteti etnik serb të dorëzojë targat e tyre të lëshuara nga Serbia ndërsa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës shkruan BBC.

Disa orë para afatit të së martës për Kosovën, kryeministri Albin Kurti pranoi të shtyjë 48 orë dhënien e gjobave teksa tha se ishte i lumtur të punonte me me SHBA dhe BE për të gjetur një zgjidhje. Gjoba prej 150 eurosh do të vendoseshin për mbajtësit e targave Serbe nga ora 07:00 e së martës.

Qeveria në Prishtinë argumenton se targat që i paraprinë luftës së territorit të vitit 1999 për pavarësi nga Serbia nuk mund të jenë më të vlefshme. 50,000 serbët në veri të Kosovës, të cilët pranojnë vetëm institucionet lokale serbe, tani duhet të përdorin targa të Kosovës.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se bisedimet shumë orëshe nuk kishin arritur të zgjidhin mosmarrëveshjen e gjatë: “Unë mendoj se ka një përgjegjësi të rëndësishme nga palët e të dy liderëve për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë.”

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se situata ishte në prag konflikti. Ai ka paralajmëruar ‘ferrin në tokë’ nëse policia speciale e Kosovës përpiqet të vendosë gjobat.

Vuçiq kishte zhvilluar më herët bisedime në Bruksel për mosmarrëveshjen me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i cili fajësoi BE-në për dështimin e bisedimeve.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se lideri i Kosovës kishte refuzuar një propozim kompromisi të BE-së, megjithëse Serbia e kishte pranuar atë. Vuçiq tha se Serbia do të ndalojë lëshimin dhe rinovimin e targave të veturave të veta për serbët në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, tha se të dyja palët do të duhet të bëjnë lëshime për të siguruar që të mos rrezikohen dekada të paqes së fituar me vështirësi në një rajon tashmë të brishtë.

Në një postim në rrjetet sociale në orët e para të së martës, Kurti tha se kishte pranuar kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e gjobave me 48 orë.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkroi në Twitter: “Tani është koha për përgjegjësi dhe zgjidhje pragmatike. Përshkallëzimi duhet të shmanget”.

Rreth 3,700 trupa paqeruajtëse të NATO-s mbeten të dislokuara në Kosovë, forca e KFor-it, për të parandaluar çdo shpërthim në ish-krahinën serbe, përfundon lajmin BBC.