Bota

BE-ja bëhet gati për temperatura të larta, dyfishon kapacitetet për luftimin e zjarreve!

Bashkimi Europian ka dyfishuar numrin e pajisjeve në dispozicion për luftimin e zjarreve në pyje. Kështu tha komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic. Të 28 pajisjet do të mund të përdoren për kriza në shtetet anëtare të bllokut europian, si dhe në vendet fqinje. Dhjetë avionët e tipit Canadair, 14 të lehtë dhe katër helikopterë do të jenë gati për atë që pritet të jetë një “verë tejet e ngarkuar”, tha Lenarcic në një intervistë me European Newsroom.

Ky vit ka nisur tashmë me më shumë thatësi se zakonisht, si në Portugali, Spanjë, Francën jugore e Italinë veriore. Ndërkohë, së fundi, në disa prej këtyre vendeve ka pasur përmbytje pasi uji i grumbulluar nga reshjet e shiut nuk absorbohej lehtësisht nga toka tejet e tharë.

Kjo thatësirë e hershme e pazakontë, së bashku me temperaturat në rritje që po regjistrohen tani në Europë, natyrisht janë një nxitës kryesor i zjarreve në pyje. Pasi viti 2022 solli verën më të nxehtë të regjistruar në Europë, në shtator shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi lidhur me planin për dyfishim të flotës ajrore të zjarrfikësve.

Flota është e shpërndarë në mënyrë strategjike në të gjithë BE-në, në mënyrë që të mund të përgjigjet shpejt kur flakët shpërthejnë në periudhën kritike nga muaji qershori deri në tetor. Avionët janë të stacionuar në dhjetë shtete anëtare: Kroaci, Qipro, Çeki, Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Portugali, Spanjë e Suedi. Ky mekanizëm i BE-së u krijua në vitin 2001. Në dy dekadat e para, ai aktivizohej mesatarisht 20 herë në vit.

Në dy vitet e fundit, kjo është rritur në rreth 100 herë në vit. Ka të ngjarë të ketë nevojë për më shumë fonde në vitet e ardhshme. Duhet të ketë më shumë financime për shkak të ndryshimeve klimatike sepse jemi dëshmitarë të një intensiteti të shtuar të fatkeqësive natyrore në veçanti.