Bota

BE-ja i jep “OK” hyrjes së udhëtarëve të vaksinuar kundër COVID-it nga vendet e treta!

Përfaqësuesit e shteteve anëtare ranë dakord për të mundësuar hyrjen në Bashkimin Europian për udhëtarët e vendeve të treta që kanë marrë dozat e nevojshme të vaksinës anti-COVID, autorizuar në nivel europian.

Në prag të sezonit turistik, ambasadorët e 27 vendeve miratuan këtë rekomandim të propozuar nga Komisioni Europian. Por, Unioni synon të koordinojë masat për kufijtë e jashtëm duke pasur parasysh pasojat e tyre për lëvizjen e lirë brenda Bllokut.

Në mars të 2020-ës, BE-ja i mbylli kufijtë e jashtëm për udhëtime “jothelbësore” dhe nga qershori, krijoi një listë shtrënguese, të rishikuar rregullisht, të vendeve të treta, banorët e të cilëve, të vaksinuar ose jo, mund të hyjnë në Bashkimin Europian.
Gjithashtu, përfaqësuesit e shteteve anëtare pranuan të lehtësojnë kriteret e përqindjes së incidencës së virusit, për të hartuar këto lista.

Përqindja është bërë nga 25 deri në 75 raste për 100 000 banorë për 14 ditët e ardhshme. Lista që aktualisht përfshin Australinë, Izraelin, Zelandën e Re, Ruandën, Singaporin, Korenë e Jugut, Tajlandën, plus Kinën në pritje të reciprocitetit, pritet të rritet ndjeshëm.

Në të njëjtën kohë, shtetet anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord të krijojnë një mekanizëm të koordinuar emergjence për të pezulluar shpejt mbërritjet nga një vend i tretë në rast të një përkeqësimi të situatës shëndetësore për shkak të shfaqjes së varianteve të koronavirusit.