Bota

BE-ja këshillohet të planifikojë kursimet për gazin!

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë këshillon Bashkimin Europian të planifikojë kursime në përdorimin e gazit, për të shmangur zbrazjen e magazinave, si dhe problemet në zinxhirin e furnizimit në muajt e dimrit. Për të mbajtur rezervat në nivelet e duhura, kërkesa duhet të reduktohet me 9 deri në 13%, krahasuar me mesataren e pesë viteve të fundit.

Sipas Agjencisë së Energjisë, një rrjedhje e vogël e gazit të lëngshëm natyror do të garantonte që rezervat të qëndronin në 25 deri në 30%. Por, nëse nuk ka planifikime për kursim e në rast se Rusia ndal furnizimet e gazit nga muaji nëntor, nivelet në rezerva mund të bien nën 5%. Kjo nëse Bashkimi Europian pranon vetëm sasi shumë të vogla të gazit të lëngshëm natyror.

Një situatë e tillë do të mund të rrezikonte furnizimet në rast të uljes së ndjeshme të temperaturave.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Keisuke Sadamori:

Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe reduktimet e mëdha në furnizimet me gaz natyror në Europë janë duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme konsumatorëve, bizneseve e të gjitha ekonomive, jo vetëm në Europë, por edhe ekonomive në zhvillim. Përdorimi i gazit natyror pritet të zvogëlohet me 0.8 për qind më 2022, me një rekord prej 10 për qind në Europë dhe kërkesë të pandryshuar në rajonin e Azi-Paqësorit.

Rusia i ka zvogëluar furnizimet me gaz natyror në Europë, me justifikimin e mirëmbajtjes së tubacioneve. Por, Perëndimi akuzon Moskën se po e përdor gazin si armë, pas sanksioneve që i janë vënë nga ndërkombëtarët për nisjen e luftës së paprovokuar në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Si pasojë e luftimeve kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Pjesa më e madhe po qëndron në Poloni.