Rajoni

BE-ja me vërejtje ndaj Kosovës lidhur me ligjet për Pagat e Zyrtarët Publikë!

Miratimi nga Kuvendi i Kosovës i projektligjeve “Për zyrtarët publikë” dhe “Për pagat në sektorin publik”, reagon Bashkimi Europian. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë hartimit të drafteve, BE-ja paraqitur disa vërejtje, që “nuk u morën parasysh në votimet e një dite më parë”. Në një deklaratë të zyrs së Unionit në Prishtinë, thuhet:

Vërejtjet kishin për qëllim të udhëzonin në mënyrën më të mirë e të mbështesin qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem transparent të shpërblimit të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Bashkimit Europian e Kosovës.

Ligji i ri “Për zyrtarët publikë” është problematik, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit, si dhe në ato disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cënueshëm ndaj politizimit.

Të dy projektligjet nuk morën as votat e partive opozitare, dje në Kuvend, por vetëm ato të maxhorancës qeverisëse. Deputetë të opozitës në Kosovë paralajmëruan se për t’i kundërshtuar do t’i dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Po ashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se “ligji “Për zyrtarët publikë” bie ndesh me detyrimet që shteti i Kosovës ka ndaj Bashkimit Europian përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), si dhe me parimet europiane për administratën publike”.

Ndërkohë, ligji i “Pagave”, fillimisht ishte miratuar në shkurt të vitit 2019. Por, një muaj para se të niste zbatimi i tij, në janar të vitit 2020, institucioni i Avokatit të Popullit e pati dërguar në Gjykatën Kushtetuese për “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën e Kosovës.

Më pas, po kjo gjykatë konstatoi se ligji i miratuar nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës e se shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve, në disfavor të Gjyqësorit e institucioneve të pavarura”.