Rajoni

BE-ja përgatit 651 mijë doza të vaksinës Pfizer për Ballkanin Perëndimor

Deri në muajin gusht, Austria planifikon të dërgojë në vendet e Ballkanit Perëndimor 651 mijë doza të vaksinës anti-koronavirus “Pfizer/BioNTech”.

Siç bëjnë të ditur burime zyrtare në Vjenë, “dërgesa do të jetë pjesë e një skeme të BE-së për të siguruar ndihmë për vendet fqinje dhe Afrikën”. Ajo mund të pasohet edhe nga të tjerat.

Austria shërben si vend që ko’ordinon dërgimin e vaksinave në Ballkanin Perëndimor si pjesë e një mekanizmi të Unionit për shpërndarjen e tyre. Ndërsa Shqipëria vazhdon me vaksinimin për të arritur në 500 mijë të vaksinuar brenda muajit të ardhshëm, Kosova e Bosnja janë më dobët në rajon në këtë drejtim. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Serbinë që kryeson në fushatën e vaksinimit.

Sa i përket 651 mijë dozave të vaksinave anti-COVID të planifikuara nga Austria, Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg deklaroi:

Përmes kësaj nisme po tregojmë se nuk po e lëmë pas rajonin. Këto doza nuk janë pjesë e kuotës kombëtare të Austrisë, por sigurohen nga Bashkimi Europian.

Vaksinat do të shpërndahen nga fillimi i muajit të ardhshëm bazuar në nevojat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Bosnja do të marrë pjesën më të madhe, 214 mijë, e ndjekur nga Shqipëria me 145 mijë, Maqedonia e Veriut 119 mijë dhe Serbia, 36 mijë.