Bota

BE-ja përgatit sanksione më të ashpra ndaj Iranit e Rusisë, sot vendimi!

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se do të miratojnë paketë të re sanksionesh shumë të ashpra kundër Iranit. Ministrat e Jashtëm të Unionit janë mbledhur në Bruksel e në rend dite janë edhe sanksionet ndaj Rusisë, përveçse Republikës Islamike.

Do të miratojmë paketë të re sanksionesh shumë të ashpra kundër Iranit. Mbrëmjen e 9 dhjetorit zhvillova një bisedë të gjatë telefonike me homologun iranian ku trajtuam furnizimin e Rusisë me armë nga Irani dhe ekzekutimin me vdekje të dy personave ditët e fundit. I bëra të ditur se BE-ja e dënon dhe është e shqetësuar nga kjo situatë. Irani duhet të kuptojë se BE-ja i dënon këto në mënyrë të fuqishme dhe se ndodhet pranë grave iraniane që mbështesin protestat paqësore.

Në lidhje me ndërhyrjet ndaj protestave që u përhapën në mbarë vendin pas vdekjes së Mahsa Aminit, më 17 tetor, BE-ja mori vendim për të zbatuar sanksione ndaj 11 individëve e 4 institucioneve iraniane, ndërsa më 14 nëntor zbatimin e sanksioneve për 29 individë e tre institucione iraniane.

Paketa e fundit e sanksioneve kundër Rusisë

Lidhur me paketën e 9-të të sanksioneve që Komisioni Europian njoftoi më 7 dhjetor kundër Rusisë, Borrell tha:

Ministrat e 27 vendeve anëtare kanë qasje të ndryshme. Komisioni bëri vetëm propozimin. Ai që do të vendosë është Këshilli. Ministrat ende nuk kanë ndezur dritën e gjelbër për paketën. Ndoshta drita e gjelbër mund të vijë në fund të ditës, por ende ka çështje për të cilat duhet të arrihet dakordësi. Propozimi për paketën e fundit përfshin shtimin në listën e sanksioneve të rreth 200 individëve e institucioneve si dhe të tre bankave ruse, ndalimin e eksporteve të produkteve me përdorim të dyfishtë dhe ndalimin e investimeve në miniera.

Hetimi lidhur me Kailin, një nga zëvendëspresidentet e PE-së

Lajmet janë kategorikisht shumë shqetësuese. Ndodhemi përballë disa ngjarjeve e të vërtetave. Si një nga ish-presidentët e PE-së me shqetëson jashtëzakonisht shumë. Nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së ose delegacionet, nuk u bë referim ndaj askujt, nuk u prekëm. Ka proces policor e gjyqësor. Për këtë arsye duhet të veprojmë në përputhje me procesin edhe pse jemi shumë të shqetësuar lidhur me lajmin.