Bota

BE kërkon zëvendësimin e fjalës “Krishtlindje”, Papa Françesku i revoltuar jep këtë paralajmërim!

Papa Françesku është shprehur kundër udhëzimeve të brendshme të Komisionit Evropian, të cilët kanë shkaktuar reagime të ashpra me përpjekjen për të “anuluar Krishtlindjet”, duke kërkuar zëvendësimin e fjalës “Krishtlindje” me “periudha e pushimeve”. Papa i ka krahasuar këto përpjekje me diktaturat, ndërsa paralajmëroi kundër “kolonizimit ideologjik”.

Komunikimet e brendshme të Komisionit Evropian u zbuluan javën e kaluar nga e përditshmja italiane “Il Giornale”. Dokumenti prej 30 faqesh, i titulluar “Bashkimi i Barazisë”, këshilloi anëtarët që “të shmangin supozimin se të gjithë janë të krishterë”, veçanërisht gjatë pushimeve të dimrit. Ai sugjeroi që anëtarët e komisionit të shmangnin përdorimin e fjalës “Krishtlindje” dhe këshilloi gjithashtu që të mos përdoren emra “që janë zakonisht nga një fe”, duke zëvendësuar “Maria dhe John” me “Malika dhe Julio” kur i referohen një çifti hipotetik.

Dokumenti gjithashtu dha udhëzime se si të trajtohet gjinia dhe orientimi seksual, duke tërhequr kritika nga përfaqësuesit e Vatikanit, politikanët e ekstremit të djathtë dhe gjithashtu nga Papa. Komisioni Evropian e tërhoqi dokumentin të enjten e kaluar, duke e quajtur atë “një punë në progres” dhe duke premtuar në një postim në Twitter të publikojë një “version të përditësuar”.

Papa u shpreh në një konferencë shtypi se:

Dokumenti është “anakronik”. Gjatë historisë shumë, shumë diktatura u përpoqën ta bënin këtë. Përpjekje të tilla janë rezultat i një qasjeje “të dobësuar” ndaj krishtërimit që ka dështuar gjatë historisë. Bashkimi Evropian duhet të marrë idealet e themeluesve, që ishin idealet e unitetit, madhështisë dhe të jetë i kujdesshëm që të mos i hapë rrugën kolonizimit ideologjik, i cili rrezikon ndarjen e vendeve dhe mund të bëjë që Bashkimi Evropian të dështojë.

Papa paralajmëroi ligjvënësit evropianë që të respektojnë dallimet e vendeve anëtare.

Çdo vend ka veçoritë e tij, por çdo vend është i hapur ndaj të tjerëve. Sovraniteti i Evropës dhe sovraniteti i çdo shteti anëtar është pjesë e një uniteti që respekton veçorinë e çdo vendi.

Rikujtojmë se së fundmi Papa Françesku e ka përshkruar neglizhencën e Evropës ndaj migrantëve si “përmbytje të qytetërimit”, teksa ka folur para azilkërkuesve që gjenden në ishullin grek, Lesbos. Gjatë vizitës në kampin Mavrovouni më 5 dhjetor, Ati i Shenjtë tha se disa në Evropë “ngulmojnë ta trajtojnë problemin (e migrantëve) si një çështje që nuk iu takon atyre”.