Rajoni

BE: Marrëveshja Kosovë-Serbi për targat nuk ka afate kohore!

“Nuk ka afate kohore apo afat skadimi te marrëveshja e arritur nëntorin e kaluar mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave”. Këtë e konfirmon zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano. Në një përgjigje me shkrim pas interesimit të mediave, Stano përsërit se “i dërguari i BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak i ka ftuar kryenegociatorët për një takim në Bruksel, më 4 prill”. Mësohet se aty do të diskutohet edhe për çështjen e targave.

Në takim do të diskutohen të gjitha detajet e lidhura me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e për të cilën palët arritën dakordësi që më 27 shkurt në Bruksel.

Ndërkohë, BE-ja pret që të dyja palët të vazhdojnë të kontribuojnë në klimën për normalizim, pajtim dhe zbatim të shpejtë të detyrimeve. Po ashtu, palët janë zotuar që të përmbahen nga veprimet që do të shkonin në drejtim të kundërt.

Takimi i negociatorëve kryesorë është i pari pas bisedimeve në Ohër të Maqedonisë së Veriut e ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç arritën një dakordësi lidhur me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Dokumenti nuk u firmos nga Vuçiç, por BE-ja nuk ka dyshime se kjo është një marrëveshje dhe e konsideron të tillë.

Para ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, si dhe drejtuesve të shteteve të Bllokut europian, kryediplomati i Unionit, Josep Borell raportoi në lidhje me rezultatin e takimit në Ohër.

Në samitin e mbajtur në datat 23 dhe 24 mars në Bruksel, liderët e BE-së përshëndetën marrëveshjen e arritur nga liderët e Kosovës e të Serbisë, si dhe u bënë thirrje të dyja palëve të “përmbushin detyrimet e tyre në mënyrë të shpejtë e në mirëbesim”.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, si dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve prej vitit 2011. Deri tani, Prishtina e Beogradi kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar. Kjo ka bërë që palët të fajësojnë njëra-tjetrën për bllokime.